Flash News

KRYESORE

Si mposhtet Edi Rama? Faktet tregojnë se kryeministri i frikësohet protestave në Tiranë

Si mposhtet Edi Rama? Faktet tregojnë se kryeministri i frikësohet

Ministria e Arsimit ka marrë sot një vendim urgjent, t’u japë rrogat brenda ditës pedagogëve dhe stafeve të universiteteve publike. Kjo lëvizje erdhi vetëm dy ditë pasi pedagogët kërcënuan me grevë të përgjithshme nëse qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk zhbllokonte pagat.

Por ky nuk është rasti i parë kur Rama tërhiqet nga vendimet arbitrare sapo paralajmërohen protesta dhe greva.

Më 28 dhjetor të 2017-ës, një grup naftëtarësh të Ballshit dhe Fierit mbërritën në këmbë në Tiranë për të protestuar për pagat që nuk u ishin dhënë. Pas debateve jashtë Ministrisë së Energjisë me deputetin e PS, Ismet Beqiri, dhe disa minuta negociata me Damian Gjiknurin dhe Arben Ahmetajn, qeveria vendosi t’u jap rrogat për më shumë se një vit. Atë që nuk e kishin arritur me protesta në Ballsh dhe në Fier, naftëtarët e arritën brenda disa orësh në Tiranë. Rrogat u kaluan më datë 30 dhjetor.

Në 5 vite qeverisje, Edi Rama ka treguar se nuk është i pamposhtur kur përballë ka protestues të organizuar dhe që janë të vendosur për kauzën e tyre. Protesta e armëve kimike dhe greva e urisë së banorëve të Zharrëzës treguan se Rama tërhiqet kur e sheh se nuk mund t’i mbyllë protestat me disa premtime.

Megjithatë, ka edhe disa raste kur grupe protestuesish nuk i kanë shkuar deri në fund kauzave të tyre dhe qeveria është mjaftuar me një deklaratë në ‘Facebook’ ose me një takim disa minutash.

Më 11 janar, ish-të përndjekurit protestuan përpara Ministrisë së Drejtësisë për mosdhënien e dëmshpërblimeve. Ata u pritën menjëherë në takim nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila e mbylli çështjen vetëm me disa premtime. Ish-të përndjekurit u larguan dhe nuk morën asnjë afat se kur do u jepet kësti i dëmshpërblimit.

Njësoj ndodhi edhe më 24 janar, kur një grup studentësh protestuan kundër tarifave të larta në universitete. Protesta zgjati vetëm disa minuta dhe pasi studentët u shpërndanë, Ministria e Arsimit bëri një deklaratë duke mos u tërhequr nga tarifat, ndërsa studentët do të paguajnë të njëjtin çmim, pa asnjë ndryshim.

Të njëjtin fat pritet të kenë statusi i minatorit dhe marrëveshja e detit me Greqinë. Disa protesta sporadike po zhvillohen në Tiranë dhe në pak qytete, por kryeministri Rama mesa duket nuk sheh organizime të forta dhe të qëndrueshme për këto çështje, çka do të thotë se zgjidhje për to nuk do të ketë ose do realizohen sipas këndvështrimit të qeverisë, pa marrë parasysh grupet e interesuara.

Të fundit