Flash News

KRYESORE

Si mund të ringrihet ekonomia pas pandemisë së koronavirusit? Ekspertët gjermanë japin disa përgjigje

Si mund të ringrihet ekonomia pas pandemisë së koronavirusit?

Ndërsa zinxhiri i infeksionit prej koronavirusit vijon të përhapet në të gjithë botën, qeveritë evropiane kanë filluar të mendojnë se si të rihapin fabrika, zyra dhe shkolla, në të njëjtën kohë që përpiqen të minimizojnë mundësinë e shpërthimit të mëtejshëm.

Të hënën Austria deklaroi se pas Pashkëve gradualisht do të fillojë të rihapë dyqanet, duke shënuar vendin e parë në Europë që ndërmerr një vendim të tillë.

Në Gjermani, ku 100,000 njerëz rezultojnë të infektuar dhe afro 1.600 raportohen të vdekur nga Covid-19, një grup ekonomistësh, avokatësh dhe ekspertësh mjekësorë propozojnë një rigjallërim gradual të ekonomisë, gjë që do të lejonte që industri specifike të rifillojnë aktivitetin, raporton CNN.

Ekspertë gjermanë shkruan një raport, i cili u botua javën e kaluar nga Instituti Ifo për Kërkime Ekonomike, me theksin se nuk presin që një vaksinë apo trajtim efektiv për koronavirusin të shfaqet para vitit 2021.

Si rezultat, Gjermania duhet t'i afrohet luftës kundër sëmundjes "më shumë si një maratonë sesa një sprint".

"Masat e ardhshme duhet të hartohen në mënyrë të tillë që, nga njëra anë, të jenë në rregull sa i takon shëndetit të njerëzve, e nga ana tjetër, që të mund të vendosen në funksion gjatë periudhave të ndryshme kohore," shkruajnë ekspertët gjermanë.

"Planifikimi për këtë tranzicion duhet të fillojë menjëherë në politikë, administratë, kompani dhe organizata të tjera", nënvizohet në raport, shkruan CNN.

Gjermania ka urdhëruar mbylljen e shkollave, restoranteve, terreneve të lojërave sportive dhe shumicës së dyqaneve deri në të paktën 20 Prill, duke e shtyrë ekonominë në prag recensioni.

Si ringrihet një ekonomi?

Qeveria gjermane po harton një paketë shpëtimi ekonomik me vlerë deri në 750 miliardë euro (825 miliardë dollarë) që përfshin masa për të nxitur kreditimin e bizneseve, për të ndërmarrë aksione në kompani dhe për të mbështetur punëtorët. Paketa është ndër më të mëdhatë lancuar kudo në botë.

Raporti Ifo sugjeron që vendi tani duhet të krijojë një grup kombëtar ekspertësh dhe përfaqësuesish publik që të rekomandojnë se si të lehtësojë kufizimet në punë dhe jetën publike, në kohën që industritë duhet të rifillojnë prodhimin.

Industri të tilla si telekomunikacioni dhe prodhimi i automjeteve që shtojnë më shumë vlera në ekonomi duhet të jenë prioritare, thuhet në raport, ndërsa puna që mund të bëhet lehtësisht nga shtëpia duhet të vazhdojë të kryhet nga distanca.

T’u thuhet jo eventeve të mëdha

Kompanitë që merren me produkte të kujdesit shëndetësor duhet të rihapen shpejt, ndërsa hotelet dhe restorantet mund të lejohen ta bëjnë këtë hap në "mënyrë shumë të kujdesshme dhe të kontrolluar" sepse është e vështirë për njerëzit që të mbajnë distancën në institucione të tilla.

Diskot dhe klubet duhet të qëndrojnë të mbyllura tani për tani, propozojnë ekspertët.

Ata shtojnë se kufizimet mund të lehtësohen së pari në vendet me shkallë më të ulët infeksioni ose rrezik të zvogëluar të transmetimit, siç janë zonat rurale. Me kalimin e kohës, rajone ku popullata ka ndërtuar një shkallë imuniteti mund të lejohet të funksionojë me më pak kufizime.

Kjo, natyrisht, kërkon testim të koordinuar dhe në shkallë të gjerë për koronavirusin. Një trajnim gjithëpërfshirës për higjenën e duhur dhe rregullat e reja që detyrojnë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale do të jenë gjithashtu të nevojshme.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu që Gjermania të organizojë një rritje "masive" të prodhimit të veshjeve dhe maskave mbrojtëse, të forcojë kapacitetin e saj prodhues për barna dhe vaksina, dhe të krijojë një platformë të teknologjisë së informacionit që lejon planifikimin strategjik.

Të hedhësh sytë nga Kina

Vendet që përpiqen të ‘ringjallin’ ekonomitë e tyre mund të hedhin sytë nga Kina për të parë çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Kina ka ndërmarrë një plan të ashpër për të shpëtuar ekonominë e saj, duke nxitur politika dhe fushata që synojnë t'i shtyjnë njerëzit të kthehen në punë, të inkurajojnë besimin e biznesit dhe të mbrojnë sa më shumë kompani nga dështimi i mundshëm. Pekini po shpenzon miliarda dollarë për furnizime mjekësore dhe trajtim dhe po hedh para në projekte të infrastrukturës për të krijuar vende pune.

Përshtatur nga CNN

Të fundit