Flash News

KRYESORE

“Simboli i korrupsionit”, presidenca i përgjigjet raportit të “Freedom House”: Heto në mënyrë të paanshme

“Simboli i korrupsionit”, presidenca i përgjigjet raportit

Vjen reagimi i parë i presidencës, pas publikimit të raportit të përvitshëm të “Freedom House”, ku ndër të tjera e përmend zgjedhjen e Ilir Metës si president i republikës, duke e konsideruar atë si ‘simbol i korrupsionit’.

Në faqen zyrtare të presidencës, theksohet se zgjedhja e Presidentit është realizuar në një proces kushtetues dhe demokratik dhe i kërkon organizatës të hetojë se kush deformon faktet.

REAGIMI I PRESIDENCËS

Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.

Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.

Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.

Në se Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House.

Raporti i ‘Freedom House’ për Metën

Lufta kundër korrupsionit gjithashtu mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Meta si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u sigurua nga votat e Partisë Socialiste në pushtet. Në vitin 2011 Rama vetë e përshkroi Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që ndahet nga një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar.

Të fundit