Flash News

KRYESORE

Sjellja e shokëve deputetë të prokurores Arta Marku në seancën dëgjimore. Çuçi e mori në mbrojtje pas dyshimeve të Hysit dhe i hoqi sikletin e pyetjes provokuese

Sjellja e shokëve deputetë të prokurores Arta Marku në

Në seancën dëgjimore me kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm ishte shumë e lehtë të dallohej se cili ishte i preferuari i deputetëve për postin e rëndësishëm dhe përplasjet që ekzistonin brenda mazhorancës për prokurorët.

Bledi Çuçi provokoi fillimisht me pyetjen e tij kandidatin Arqile Koça nëse kishte miqësi me politikanë të rëndësishëm. Pyetja e Çuçit ishte ndërtuar në mënyrë provokative si për t’i treguar prokurorit se “unë i di lidhjet e tua edhe pse ti nuk do i pranosh”.

“Keni krijuar ndonjë miqësi në 10 vitet e fundit me ndonjë politikanë aktiv dhe këtu kam parasysh jo vetëm deputet e ministra, por edhe pjesëtarë të partive politike që janë anëtarë të forumeve të larta vendimarrëse politike? Nëse po, ku ka qenë hera e fundit që keni ngrënë ndonjë drekë ose ndonjë darkë me politikanë të kësaj kategorie?”,- iu drejtua deputeti prokurorit, por ky i fundit refuzoi të kishte miqësi me politikanë të rëndësishëm.

Pas Arqile Koçës, në sallë hyri prokurorja e Shkodrës, Arta Marku, për të cilën raportohet se ka miqësi të forta brenda mazhorancës, veçanërisht me Ermonela Felajn, kryetare e Komisionit të Sigurisë dhe ish-ministre.

Megjithatë, deputetja Vasilika Hysi ngriti dyshime për karrierën e Markut kur vuri në dukje se për 15 vite ajo nuk kishte lëvizur nga Prokuroria e Shkodrës dhe nuk ishte promovuar në detyra më të larta. Markut i erdhi menjëherë në ndihmë deputeti Çuçi, i cili pak më parë kishte provokuar prokurorin Koça.  

“Unë e shoh si promovim faktin që zonja Marku ka qenë pjesë e task-forcës e njësisë së përbashkët hetimore që lidhet me korrupsionin. Ky është një promovim dhe një promovim nga më të rëndësishmit për aq sa e njoh unë sistemin e procedimeve penale, sepse kriteri kryesor ka qenë integriteti profesional dhe moral i anëtarëve. Kush ka qenë zyrtari më i lartë që ju keni proceduar në këtë task-forcë dhe cili ka qenë rezultati?”,- ishte ndërhyrja e Çuçit.

Deputeti socialist nuk i bëri Arta Markut të njëjtën pyetje provokatike si kolegut të saj, duke i hequr një siklet të madh.

Ndërkohë, deputetja Felaj, për të cilët raportohet se është shoqe me Markun, nuk i drejtoi asnjë pyetje kësaj të fundit, por qëndroi në heshtje, ndryshe nga sa veproi me kandidatët e tjerë.

Të fundit