Flash News

KRYESORE

'Skënderbeu i mbuluar', fetë dhe rreziku i “militantizmit ateist”

'Skënderbeu i mbuluar', fetë dhe rreziku i

Naum Mara

Ateistët përbëjnë një pjesë jo të pakët të shoqërisë shqiptare. Nuk janë të vetëdeklaruar në regjistrimet e fundit të përgjithshme (mbase nuk ua kërkonin as formularët), por e shprehin bindjen e tyre ateiste në shtyp dhe në rrjetet sociale.

Ka disa arsye, që mes shqiptarëve të ketë shumë “ateistë militantë“. Ndalimi me ligj i të gjitha feve dhe praktikave fetare për 23 vjet, dhe shkollimi i dominuar nga një filozofi e vetme materialiste, krijoi disa breza që, jo vetëm nuk besonin në ekzistencën e Zotit, por edhe i shihnin praktikat fetare si tërësisht të dëmshme për formimin e njeriut dhe jetën e tij në shoqëri.

Ndaj edhe pse një pjesë e mirë e tyre, kanë reflektuar ndaj formimit vetjak të njëanshëm dhe janë përpjekur të mësojnë më shumë nga metafizika, filozofitë idealistë dhe doktrinat fetare, janë të shumtë ata, të cilët nuk janë lëkundur në bindjen e tyre se “feja është opium për popujt” dhe si çdo lloj droge duhet luftuar.

Reaksioni i fundit ndaj “mbulimit të Skënderbeut” ishte në masën më të madhe një reagim i “militantëve ateistë“, të cilët përgjithësisht gjejnë një “strehë patriotike” për të justifikuar qëndrimet apo dhe urrejtjen e tyre.

Një ceremoni lutjeje ndaj atij, të cilin e quan Zot të gjithshkaje dhe të Plotfuqishëm detyrimisht nuk ka pse të “implikohet” me interpretime nga jeta e përditshme e vdekëtarëve duke përfshirë këtu edhe figura historike. Lutja në vetvete është e gjithësishme, është paqësore, është jetike, është qiellore dhe nuk ka pse të futet në sherrnajat tona të marra. Ceremonia mbyllej në disa orë dhe sheshi Skënderbej do ishte sërish i njëjti shesh i jetës  së përditshme, të lavdishme, të zhurmshme, të zgërlaqme apo përrallore.

Por “militantët ateistë“, sikundër pararendësit e tyre në Bashkimin Sovjetik, Shqipëri dhe Kamboxhia, ndjehen si misionarë, që kanë zbuluar jo vetëm të vërtetën universale, por dinë edhe se ku janë rrënjët e së keqes, ndaj duhet medoemos në mos arrijnë brenda jetës së tyre zhdukjen e feve, por të shohin të paktën dobësimin e tyre.

Ka një grup të caktuar të tyre, të cilët u bënë veçanërisht luftarakë pas 11 shtatorit 2011. Një pjesë janë bashkëatdhetarë, që jetojnë në Perëndim.

Damkosja (pa të drejtë) e islamit, si fe radikale dhe terrornxitëse nga shumë segmente të shoqërisë amerikane(dhe jo vetëm të saj), solli te mjaft shqiptarë, që vinin nga familje me origjinë myslimane, të ndjeheshin të përçmuar, të rrezikuar, nëse do shfaqnin hapur identitetin e tyre fetar sidomos në Amerikë. Ndaj një pjesë zgjodhën rrugën e “militantizmit ateist”, për të dënuar (padrejtësisht) në mënyrë të barabartë, të gjitha fetë dhe sidomos ato monoteiste.

Edhe pse një pjesë e mirë jo fort të kënduar, ata filluan të bëhen agresivë në rrjetet sociale  duke kujtuar ato ç’kishin mësuar në tekstet e hartuara në Institutin e Studimeve Marksiste- Leniniste. Ju sulën me urrejtje kryqëzatave, xhihadistëve, kishës greke, Vatikanit, duke vënë shenjë barazie ndaj gjithshkaje që lidhet me fenë.

Këta janë pjesa shqiptare e “militantëve injorantë ateistë“, të cilët janë më të zhurmshëm dhe plot urrejtje, por që padija në situate të tjera socialo-politike mund t’i hedhë në prehrin e çdo lloj filozofie dhe feje.

Pjesa më e rrezikshme është ajo e “militantëve ateistë të kënduar”, të cilët në mënyrë shumë të përzgjedhur, gjejnë në historinë e njerëzimit pjesët më të errëta të rolit të feve, si dhe në historinë e Shqipërisë vetëm pjesët kur klerikët kanë dëmtuar çështjen shqiptare. Një tezë shumë e pëlqyeshme e tyre është “te ne fetë i kanë sjellë pushtuesit”, a thua se ilirët apo pellazgët ishin që atë kohë ndjekës të doktrinës së Enverit!

Në çështjen e rëndësishme të kombit tonë, raporti i shqiptarëve, feve dhe Shqipërisë është një raport shumë kompleks, ku asnjëra nga fetë nuk duhet të shpallë se është më “kombëtare” dhe më e lidhur me Shqipërinë apo Europën se tjetra. Historia europiane e 1000 vjetëve të fundit është shumë e komplikuar dhe sidomos në trevat e Ballkanit tonë.

Por, aq më pak kanë të drejtë “militantët ateistë“ të mburren për patriotizëm të kulluar dhe të damkosin të tjerët si grekomanë, serbofilë, italianofilë apo “talejbanë“. Pararendësit e tyre, me filozofinë e egër materialiste, kanë kryer me mijëra krime ndaj shqiptarëve si dhe ndaj kombit. Ndaj “urrejtja” ndaj besimeve dhe besimtarëve pjell krime si çdo lloj “urrejtje’ tjetër.

Ka dhe një arsye tjetër të rëmdësishme, që e bën ateizmin militant” shumë të rrezikshëm për gjendjen e sotme të shoqërisë shqiptare.

Morali në Shqipëri është në nivelet ndoshta më të ulta të gjithë historisë së shoqërisë shqiptare. Korrupsion i madh në administratë, shëndetësi dhe arsim, kriminalitet i organizuar, prostitucion klasik, por edhe “prostituim” për një vend pune, përdorim i lartë droge dhe mashtrime, janë disa nga plagët e mëdha të shoqërisë sonë. Fetë kanë qenë ato, që kanë konsoliduar moralin në shoqërinë shqiptare, dhe që mund të ndihin edhe për ta ngritur sot.

Ndaj më pak “militantë ateistë“, më shumë “ateistë të moderuar” dhe shumë e më shumë besimtarë do ishte, për mendimin tim, formula më shpresëndjellëse për shoqërinë tonë.

Le ta lemë “ateizmin militant” në vitin e kobshëm 1967!

Të fundit