Flash News

KRYESORE

‘Skifterët’ që sfiduan shtetin, vjedhjet e institucioneve nga aeroporti i Rinasit te Ministria e Brendshme   

Institucionet shtetërore zotërojnë një siguri të veçantë, për vetë rëndësinë dhe rolin që mbartin.

Por, pavarësisht se godinat e tyre ruajnë materiale a dokumente të rëndësishme, në vendin tonë nuk kanë qenë të pakta rastet kur edhe objekte të këtilla të bien pre e vjedhjeve.

Së fundmi, u raportua në media se  Parku i Ministrisë së Brendshme, ose Qendra e Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit është vjedhur, madhe dy herë brenda këtij muaji.

Ndonëse lajmi nuk u bë publik, në media shkruhet se vjedhja e parë kishte ndodhur që më 13 shtator, ndërsa e dyta gjatë natës së 2 tetorit. Gjatë ngjarjes së fundit, sipas policisë janë vjedhur disa pajisje elektronike të dala jashtë përdorimit.

Por, kjo njësi nuk është e vetmja që bëri bujë.

Grabitja në Rinas

Më 9 prill të këtij viti, një tjetër objekt i sigurisë së veçantë, aeroporti i Rinasit grabitet ditën për diell me armë zjarri nga katër persona.

Brenda në pistën e aeroportit të Rinasit u grabitën thasët e parave qe do transportoheshin me avion për në Vjenë.

Grabitja u komentua edhe si një kërcënim i hapur për sigurinë kombëtare dhe mundësive për kryerjen e sulmeve terroriste.

Ministri  i Brendshëm, Sandër Lleshaj e pati cilësuar një incident që ndodh kudo, grabitjen ku u morën 6 mln euro.

Madje, pak para ngjarjes në aeroport kishte zbritur presidenti Ilir Meta, i cili kthehej nga një vizitë zyrtare në Austri.

Prokuroria Durrës

Një tjetër institucion më rëndësi që ka rënë pre e grabitjeve është Prokuroria e Durrësit. Ajo ra pre e grabitjeve me thyerje dy herë brenda muajit maj të vitit të shkuar.

Mediat raportuan se persona të maskuar ishin futur gjatë natës në ambientet e Prokurorisë dhe morën  disa dokumente, dosje korrupsioni, që lidhen me pronat, nga zyra e prokurorit të Task Forcës, Afrim Shehu.

Grabitësit ishin futur nga dera e pasme e institucionit dhe po ashtu nuk kishin lënë pa marrë edhe serverin e kamerave të sigurisë për të humbur gjurmët.

Disa ditë më parë, më 8 maj, persona të maskuar sulmuan dhe grabitur prokurorinë e Durrësit dhe se shënjestër e grabitjes kanë qenë materialet e klasifikuara që mbahen në postën sekrete të prokurorisë.

Nëse vidhen institucione të këtyre kategorive, natyrshëm lind pyetja se sa siguri duhet të ndihen qytetarët që presin siguri prej këtyre institucioneve?!

Të fundit