Flash News

KRYESORE

'Skizofrenia' e BE: Shifrat për Shqipërinë thonë një gjë, zyrtarët një tjetër

'Skizofrenia' e BE: Shifrat për Shqipërinë thonë

Alfred Lela

Në një takim të hapur me temë integrimin europian, një bashkëpunim i Këshillit të Europës për Çështjet e Jashtme, Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Medias, u tha ndër të tjera,  se zyrtarët francezë ankoheshin shpesh për numrin e lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria.

Faktin e përcolli Gerald Knaus, kreu i Inisiativës Europiane për Stabilitet, i cili shtoi se u kishte propozuar francezëve, me sa duket edhe të pranishmëve në takimin e djeshëm, 'zgjidhjen zvicerane': që numri të ulet, duhen përshpejtuar proceduarat e aplikimit. Do të thotë, sa më shpejt të mbërrijë fundi i dokumentacionit, aq më shpejt bëhet i mundur kthimi në atdhe i azilkërkuesit.

Gjermani i IES e shihte këtë si një problem të efikasitetit (apo mungesës së tij) europian.

Gjë që është edhe paradoksale edhe 'europiane' në të njëjtën kohë: Zyrtarët e BE dhe të satelitëve të saj, jo rrallë, 'kriteret' që duhet t'i plotësojë Europa, ia kërkojnë Ballkanit, dhe kriteret që duhet të plotësojë Ballkani, ia kërkojnë Europës. I tillë ishte qëndrimi i z. Knaus.

Ai la përshtypjen se problemi i azilantëve ishte zviceran, francez apo gjerman, por jo shqiptar. Nëse problemi i azilantëve 'zgjidhet' në Francë, a zgjidhet edhe në Shqipëri? Nëse Franca plotëson kriterin e vet 'të brendshëm', çfarë ndodh me kriteret e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë? Ku shkojnë ata azilantë pasi Franca u mbyll dyert? Gjasat janë, nëse nuk kanë fat në ndonjë vend tjetër të BE, 'i ngathët' në procedura, ata kthehen në Shqipëri, në atdheun prej të cilit deshën të ikin. (Në numra më të shumtë se afganët, sirianët dhe irakenët që janë në luftë).

Thuajse në të njëjtën kohë që 'trojka' europiane zhvillonte takimin në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë mbërrinte Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparancy International, i cili e rendiste Shqipërinë në vendin 91, me një rënie prej 8 vendesh nga viti i mëparshëm. Përfaqësia e OSBE në Tiranë reagoi sot duke shprehur keqardhje për 'ndryshimin e trendit pozitiv të Shqipërisë së vitit 2013'.

Si numri i azilkërkuesve nga Shqipëria, ashtu edhe shifrat ngjitëse të korrupsionit, siç dëshmojnë  ankesat e zyrtarëve francezë, por edhe raporti i Transparency International janë një 'problem europian'. A janë ata edhe një 'problem shqiptar'? Për më shumë, a shihen si 'problem shqiptar' nga qeveritarët e lartë të këtushëm, ashtu dhe nga burokratët e Brukselit?

BE nuk duhet, dhe as mundet, që kriteret e Europës t'ja kërkojë Ballkanit dhe ato të Ballkanit, Europës. Shifrat e e raporteve të institucioneve ndërkombëtare (europiane apo amerikane), duhet të shihen me skrupulozitet nga ata me përgjegjësi në Shqipëri dhe në Bruksel. 

Duhet të ndodhë njëra prej të dyjave: shifrat të lejohen të përgënjeshtrojnë deklaratat e zyrtarëve, ose zyrtarët duhet të dalin dhe të përgënjeshtrojnë shifrat. Sepse, ka disa muaj që retorika dhe shifrat e kanë shtyrë të vërtetën në skizofreni. Shifrat, nga të gjitha burimet, japin shenja të kuqe alarmi, ndërsa zyrtarët, nga të gjitha katet e Brukselit, u kundërvihen shifrave me dhogat e një gjuhe të drunjtë që thotë 'reformat po ecin', 'hapa përpara', etj. 

Shifrat, si në një roman distopik të Aldous Huxley-t duket sikur pyesin: pse kërkojnë azil shqiptarët, atëherë? Po kurrupsionin kush e bën? Po ekonomia, pse është e brishtë?

Të fundit