Flash News

KRYESORE

Sondazhi/ Bizneset e mbyllura katërfishohen në 4 vitet e fundit; shkak kriza, emigrimi, sëmundjet dhe frika nga TVSH

Sondazhi/ Bizneset e mbyllura katërfishohen në 4 vitet e fundit; shkak

Situata për biznesin e vogël nuk duket aspak optimiste. Vetëm në muajin shkurt 2018, numri i subjekteve që kaluan në statusin pasiv e tejkaloi 1000, duke u katërfishuar në raport me katër vite më parë. Të gjendur pa rrugëdalje, bizneset e vogla po tentojnë që të shpëtojnë duke bërë çregjistrime fiktive, por mesa duket fenomeni është pikasur nga Tatime.

“Monitor” kreu një sondazh me bizneset, që kaluan në status pasiv në shkurt. 67% e subjekteve dhanë si arsye krizën, uljen e fuqisë blerëse dhe konkurrencën. Në shumë pak kohë, përqindja e individëve që raportojnë se kanë emigruar pas mbylljes së biznesit është rritur. Ndërkohë, është shtuar edhe përqindja e bizneseve që janë mbyllur prej sëmundjeve.

Sipas të dhënave të analizuara nga “Monitor”, gjatë shkurtit 1,088 biznese kaluan në statusin pasiv. Prej të gjithë bizneseve që kishin kaluar në statusin pasiv, me përzgjedhje të rastësishme u telefonuan 10% e tyre, sipas peshave specifike që kishin bizneset pasive sipas Drejtorive Rajonale Tatimore. Bizneset pasive u pyetën në lidhje me: arsyet pse kishin bërë kërkesë për pezullimin e aktivitetit; prej sa kohësh operonin; dhe a ishin të punësuar diku tjetër pas mbylljes së aktivitetit.

Prej të dhënave të analizuara prej sondazhit, 67% e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht.

Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore. (Rreth 27% e atyre që dhanë një arsye tjetër përveç krizës, që përbënte 9% të totalit të subjekteve të anketuara, thanë se ishin problemet shëndetësore që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin).

Nga të dhënat e analizuara, vetëm për muajin shkurt, nga 2015 deri në 2018-n, numri i bizneseve të mbyllura është katërfishuar në katër vitet e fundit. Sipas shifrave të nxjerra nga lista e subjekteve të Tatimeve, në shkurt të vitit 2015, vetëm 287 biznese kishin kaluar në status pasiv.

Në shkurt të 2016-s, numri i tyre thuajse u dyfishua, ku sipas të dhënave të Tatimeve ishin 541 biznese të kaluara në listën e pasiveve. Në shkurtin e një viti më parë, subjektet ishin 738, ndërsa këtë shkurt bizneset që kaluan në pasiv ishin 1,088. Në rritjen e numrit në shkurt ka ndikuar dhe tendenca e subjekteve për t’u çregjistruar dhe regjistruar sërish me emër tjetër, në mënyrë që t’i shmangen TVSH-së që hyn në fuqi nga 1 prilli.

Bar kafetë, restorantet dhe dyqanet e tregtisë me pakicë duket se janë më të goditurat prej rënies së fuqisë blerës, por edhe konkurrencës së shtuar. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri, numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante). Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë.

Sipas të dhënave nga sondazhi, 80% e bizneseve të telefonuara nga “Monitor” operonin në këtë fushë. 43% e subjekteve të anketuara operonin si bar-kafe apo restorante, 37% e tyre operonin në fushën e tregtisë me pakicë, dyqane të rrobave, ushqimore ose të tregtisë së frutave perimeve. 5% e tyre ishin parukeritë, ndërsa 15% operonin në fusha të ndryshme.

Hendeku ndërmjet daljeve dhe hyrjeve të shtetasve shqiptarë në pikat kufitare në tre vitet e fundit tregon se vendi është përfshirë në një cikël të ri masiv emigracioni, kryesisht të punonjësve të kualifikuar. Efektet e emigracionit kanë filluar që të ndihen në ekonomi, ndërsa ekspertët kanë ngritur vazhdimisht alarmin për rreziqet që paraqet kjo lëvizje masive e shtetasve, që duhet thënë se po ndodh kryesisht te moshat e reja.

Por, të vendosur përballë mungesave të alternativave në vend, shumë të rinj, dikur me biznes, kanë gjetur rrugën e emigracionit. Sikurse biznesi, rruga drejt emigracionit nuk merret nga kushdo, prandaj dhe nuk është çudi që individë me shpirtin e sipërmarrjes ndërmarrin nismën për të filluar një jetë të re larg Shqipërisë.

Po hyn në krizë vetëpunësimi

Ekonomia shqiptare dominohet nga sipërmarrjet e vogla, ndërsa shqiptarët kanë parë si alternativë punësimi, vetëpunësimin.

Por, vetëpunësimi në Shqipëri duket se ka filluar të tkurret, duke reflektuar konsumin e dobët dhe riorganizimin e tregtisë me pakicë drejt supermarketeve e qendrave tregtare. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në anketën strukturore 2016, vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13%, apo gati 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë.

Nga të dhënat e përllogaritura nga “Monitor”, vetëpunësimi në sektorin e tregtisë u tkurr me 16%. Në këtë sektor rreth kishte 8,900 të vetëpunësuar më pak se një vit më parë. Në total, i gjithë grupi i prodhuesve të shërbimeve numëronte mbi 13 mijë më pak të vetëpunësuar. Rënie të vetëpunësimit ka pasur edhe tek ofruesit e shërbimeve, me rreth 2,200 më pak të punësuar.

*Marrë me shkurtime nga Monitor

Të fundit