Flash News

KRYESORE

Sondazhi i ISP: Cilët janë deputetët më të mirë, aktualë dhe në të shkuarën. Emrat nga PD, PS dhe ‘opozita e re’

Sondazhi i ISP: Cilët janë deputetët më të mirë,

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka kryer një anketim me qytetarë shqiptarë në të gjithë vendin me objekt performancën e Kuvendit aktual dhe deputetëve, përfshirë ata të shumicës, opozitës së re dhe asaj jashtëparlamentare. Një prej pyetjeve të sondazhit të ISP lidhej me njohjen ose jo të deputetëve nga publiku dhe cili shihej si model pozitiv i përfaqësimit parlamentar.

Një numër i madh qytetarësh (20-22%) mendon se asnjë deputet nuk përmbush pritshmëritë e tyre për t’u referuar si politikan dhe parlamentar model. Disa prej përgjigjeve shkojnë edhe në ekstrem, duke akuzuar se në tërësi të gjithë politikanët kanë qenë e janë të korruptuar, të paaftë apo të papërgjegjshëm, ndaj edhe nuk mund të gjendet mes tyre ndonjë model pozitiv. Në pjesën më të madhe të përgjigjeve (60-62%) qytetarët kanë cituar së paku një emër politikani pozitiv, duke shtuar në shumicën e rasteve, edhe cilësinë përse konsiderohet i tillë prej tyre. Ndër politikanët e legjislaturës aktuale parlamentare më të kuotuarit si modele pozitive sipas renditjes te PS janë: Pandeli Majko, Erion Braçe, Ditmir Bushati, Englantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Fatmir Xhafaj, etj. Tek opozita e re parlamentare janë vetëm dy politikanë të kuotuar me përqindje të larta, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi.

Tek ish deputetët e PD në legjislaturën aktuale më të kuotuarit janë emra si Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj, Dashamir Shehi, Florian Mima, Halim Kosova, etj. Tek LSI ka pak emra të kuotuar dhe ata në kuota të papërfillshme në raport me të tjerët. Pjesa më interesante është lista emërore e deputetëve më të cituar si modele pozitive gjatë viteve të tranzicionit. Në këtë listë nga ish deputetët e PS kryesojnë emra të njohur si Ermelinda Meksi, Arben Malaj, Arta Dade, Ethem Ruka dhe Mimoza Hafizi, ndërkohë që tek ish deputetët e PD kryesojnë rastet e cituara emra si Sokol Olldashi, Pjeter Arbnori, Besnik Mustafaj, Bashkim Kopliku, Eduard Selami, Gilman Bakalli, Jozefina Topalli, Bamir Topi dhe Aleksander Meksi. Interesant është gjithashtu fakti se në shumë raste qytetarët kanë referuar më shumë se një emër deputeti si model pozitiv, duke cituar njëherësh emra nga e majta dhe e djathta, - një tregues se përgjigjet nuk kanë qenë partizane. Po ashtu, vlen të theksohet se figura të njohura aktuale politike, si drejtues grupesh dhe komisionesh, në tërësi nuk kanë pasur kuota të larta referimi si modele pozitive parlamentare. Në listë ka emra të tjerë ish deputetësh të veçuar si modele pozitive parlamentare, për të cilët jepet përshkrim konkret vlerësimi, ku bëjnë pjesë Sabri Godo, Dritero Agolli, Abdi Baleta, Leonard Demi, Preç Zogaj, Rudina Seseri, Ferit Hoti, Gramoz Pashko, etj. Midis modeleve referuese janë përfshirë në raste të veçuara edhe politikanët Sali Berisha dhe Fatos Nano.

Vlen të theksohet se ka pasur nga 1-2 raste kur janë cilësuar modele pozitive edhe deputetë që janë bërë headline me skandale financiare ose të dekriminalizimit, apo deputetë headline për skandale në parlamentin aktual, - ku qytetarët që i kanë cituar, i vlerësojnë ata kryesisht si individë që ruajnë marrëdhënie të mira me bashkëpunëtorët e tyre, një informacion që kuptohet e posedojnë vetëm bashkëpunëtorët e tyre. Po ashtu, ka pasur raste kur në anketim online kanë ndërhyrë në thuajse të njëjtën kohë disa persona duke cituar modele pozitive deputetë të veçantë si E.H., A.M., A.Xh, V.S., P.S., etj, si dhe duke dhënë të njëjtat arsyetime me shkrim për vlerësimin pozitiv të tyre.

 

Të fundit