Flash News

KRYESORE

Sondazhi/ Institucionet fetare më të besuarat për shqiptarët; presidenti më pak i besueshëm se qeveria dhe parlamenti

Sondazhi/ Institucionet fetare më të besuarat për

Sondazhi “Besimi në qeverisje 2017” i realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe UNDP, zbulon se institucionet që shqiptarët besojnë më shumë janë ato fetare. Nga një vit më parë, besimi te kleri është rritur me 18% në Shqipëri, e cila është rritja më e madhe për të gjitha institucionet.

Forcat e Armatosura dhe Institucionet e Arsimit besohen nga 63% e shqiptarëve, ndërsa Shoqëria Civile, Mediat, Institucionet e Shëndetit Publik dhe Policia besohen gjithashtu nga mbi 50% e qytetarëve.

Vlerësimet më të ulta kanë marrë bashkitë, qeveria, parlamenti dhe presidenti, ndërsa në fund renditen prokuroria, gjykatat dhe partitë politike. Ajo që bën përshtypje është se Presidenca nën drejtimin e Ilir Metës ka pësuar rënie sa i përket besueshmërisë te shqiptarët. Parlamenti dhe Qeveria janë konsideruar më të besueshme se Presidenca.

BESIMI NË INSTITUCIONE:

  • Në vitin 2017, institucionet kombëtare që gëzojnë besimin e më shumë se gjysmës së të anketuarve përfshijnë: Institucionet Fetare (76%), Forcat e Armatosura (63%), Institucionet e Arsimit Publik (63%), Organizatat e Shoqërisë Civile (57%), Media (54%), Institucionet e Shëndetit Publik (53%) dhe Policia e Shtetit (53%).
  • Institucionet kombëtare që kanë marrë vlerësime më të ulta besimi nga më shumë se gjysma e të anketuarve janë: Qeveria vendore (49%), Qeveria (47%), Parlamenti (34%), Presidenti (33%), Prokuroria (22%), Gjykatat (21%) dhe Partitë Politike (21%).
  • Që prej vitit 2014, përqindja e të anketuarve që kanë besim tek Institucionet Fetare është rritur ndjeshëm nga 44% në 76%. Gjatë vitit 2017, ato kanë shënuar rritjen më të lartë në nivelin e besimit të përgjithshëm (18 pikë përqindje).
  • Shoqëria Civile shënon një rritje prej 11 pikë përqindje për 2017 dhe vazhdon të jetë në rritje që nga vlerësimi i saj besueshmërisë prej 34% në vitin 2014.
  • Për vitin 2017, Parlamenti është në rritje me 7 pikë përqindje në krahasim me vitin 2016.
  • Partitë politike janë në rënie (2 pikë përqindje) dhe për të pestin vit radhazi renditen si më pak të besuara.
  • Media ka shënuar një rënie prej 4 pikë përqindje për vitin 2017.Të pyetur mbi kredibilitetin e raportimit në media, vetëm një në çdo dy të anketuar (50%) mendojnë se informacioni i dhënë nga media është i saktë dhe i vërtetë.
  • Në ndryshim me institucionet kombëtare, institucionet/organizatat ndërkombëtare- BE (85%), OKB (85%) dhe NATO (84%) - renditen si institucionet më të besuara për të pestin vit radhazi.
  • Pavarësisht shpresave të mëdha për një ndikim të mundshëm pozitiv të Reformës në Drejtësi, perceptimet për zbatimin me korrektësi të Reformës në praktikë vazhdojnë të jenë të ndara, me 43% e të anketuarve që besojnë se Reforma në Drejtësi do të zbatohet me korrektësi, ndërkohë që 38% besojnë të kundërtën. Numri i të anketuarve që shprehen të pasigurt është rritur me 8 pikë përqindje që nga viti i kaluar.

TRANSPARENCA DHE LLOGARIDHËNIA:

  • Në përgjithësi, perceptimet mbi transparencën e qeverisjes në nivel qendror dhe vendor kanë ndryshuar pak në vitet e fundit; të anketuarit vijojnë të vlerësojnë më lart bashkitë e tyre krahasuar me qeverisjen qendrore, edhe pse vlerësimet pozitive qëndrojnë nën 50%.
  • Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) është perceptuar si institucioni që ka pasur rolin më të madh në bërjen e qeverisë të përgjegjshme gjatë vitit 2017 (67%), ndjekur nga Media (65%) dhe Parlamenti (63%).
  • Krahasuar me 2016, Parlamenti është perceptuar se ka një rol në rritje në kërkesën e llogarisë ndaj qeverisë (rritje me 11 pikë përqindje), i ndjekur nga Sindikatat (7 pikë përqindje) dhe Shoqëria Civile (5 pikë përqindje).
  • Pjesa më e madhe e të anketuarve mendon se nisma e hapjeve të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit është e dobishme për realizimin me sukses të punës nga institucionet publike në të ardhmen (67%), sjell drejtësinë e nevojshme (65%) dhe kontribuon në përmirësimin e kohezionit social (60%).

ANGAZHIMI QYTETAR:

  • 36% e të anketuarve raportojnë se kanë mundësi të mjaftueshme për të marrë pjesë në vendimmarrjen në nivel vendor. 28% e të anketuarve raportojnë se kanë mundësi të mjaftueshme për të marrë pjesë në vendimarrjen e institucioneve publike në nivel qendror.
  • 15% e të anketuarve deklarojnë se kanë marrë pjesë në takime kosultative në nivel vendor, ndërkohë vetëm 10% e të anketuarve raportojnë se kanë marrë pjesë në takimet konsultative të organizuara në nivel qendror.
  • 67% e të anketuarve janë dakord ose janë plotësisht dakord me deklaratën “Dëgjesat publike lokale janë ngjarje formale, ato kanë ndikim të kufizuar në vendimet bashkiake”. Në krahasim me vitin 2016, ka një rritje me 10 pikë përqindje të anketuarve që bien dakord.
  • Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 80% raportojnë se nuk kanë marrë pjesë në demonstrata/tubime ose kanë nënshkruar një peticion gjatë vitit 2017.

KËNAQSHMËRIA ME OFRIMIN E SHËRBIMEVE PUBLIKE DHE TIK:

  • Shërbimet publike që janë vlerësuar më mirë nga më shumë se gjysma e të anketuarve përfshijnë furnizimin me ujë të pijshëm (56%), shërbimet e pastrimit (57%), shërbimet e emergjencave (53%) dhe shërbimet e arsimit publik (54%).
  • Shërbimet publike që janë vlerësuar më pak nga më shumë se gjysma e të anketuarve janë shërbimet e punësimit (74%) dhe gjykatat (73%) të ndjekura nga shërbimet e shëndetit publik (57%) dhe shërbimet sociale (55%).
  • 15% e të anketuarve raportojnë se kanë dorëzuar një ankesë pranë institucioneve përkatëse në lidhje me një shërbim të marrë gjatë vitit 2017. 37% e të anketuarve raportojnë se ankesa e tyre është adresuar. Një përqindje më e lartë (44%), raporton se ankesa e tyre nuk është adresuar.
  • 47% e të anketuarve raportojnë se institucionet nuk “i dëgjojnë” dhe adresojnë si duhet ankesat e qytetarëve.
  • 51% e të anketuarve shprehen se nuk ndihen të sigurt në jetën e tyre të përditshme. Pjesa më e madhe e të anketuarve raportojnë si faktorë kryesorë që shkaktojnë ndjenjën e pasigurisë kriminalitetin (58%), pasigurinë për punën (42%) dhe drejtësinë jo të plotë (32%).
  • 39% e të anketuarve janë në dijeni nëse bashkia e tyre ka faqe interneti. 52% shprehen se nuk e dinë nëse bashkia ka një faqe interneti. 67% e të anketuarve që janë në dijeni nuk e përdorin faqen e bashkisë.

GJINIA DHE PËRFSHIRJA SOCIALE:

  • 65% e të anketuarve besojnë se në shoqërinë shqiptare ka barazi midis burrave dhe grave, ndërkohë 34% nuk janë dakord. Gratë kanë më pak gjasa që të pajtohen me këtë deklaratë sesa burrat.
  • 74% e të anketuarve besojnë se nëpunësit civilë i shërbejnë me të njëjtin përkushtim dhe etikë grave dhe burrave, ndërkohë 25% nuk janë dakord. Përsëri, gratë kanë më pak gjasa që të pajtohen me deklaratën sesa burrat.
  • 12% e të anketuarve raportojnë se janë trajtuar ndryshe nga një institucion apo nëpunës civil për shak të karakteristikave të tyre personale si gjinia, mosha, përkatësia etnike, orientimi seksual apo afësia e kufizuar.
  • 26% e të anketuarve deklarojnë se janë të kënaqur me numrin aktual të grave në këshillin e tyre bashkiak, ndërkohë që 67% nuk e dinë. 7% thonë se janë të kënaqur.
  • 69% e të anketuarve shprehen se rritja e numrit të grave në këshillin e tyre bashkiak do të ketë një ndikim pozitiv në qeverisjen vendore.

Të fundit