Flash News

KRYESORE

Sot e përjashtoi nga PS, në 2017-n Rama mori në mbrojtje Gjetanin pas kërkesës së PD për shkarkim

Sot e përjashtoi nga PS, në 2017-n Rama mori në mbrojtje Gjetanin

Gjetan Gjetani u përjashtua sot nga Grupi Parlamentar i PS me urdhër të kryetarit Edi Rama dhe kjo për shkak të kritikave që drejtoi ndaj Fatmir Xhafajt, ministër i Brendshëm. Por pavarësisht vendimit të marrë sot, Rama i ka dalë më parë në mbrojtje deputetit Gjetani.

Në tetor të 2017-s, Partia Demokratike depozitoi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kërkesën për heqjen e mandatit për Gjetan Gjetanin. Demokratët u shprehën se Gjetani kishte rekorde kriminale në Itali, fakte që ishin fshehur në formularin e dekriminalizimit.

“Nga të dhëna të bëra me dije në rrugë informale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Gjetan Gjetani, ndodhet ne kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për tu zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian”, thuhej në kërkesën e PD-së.

Por, deputeti socialist i Kurbinit i hodhi poshtë këto akuza duke deklaruar se nuk kishte qenë kurrë në Itali.

“PD nuk e di se ku bazohet. Ka bërë një kërkesë për të më ndërprerë mandatin me pretendimin se jam i dënuar në Itali. Unë e bëj publike se nuk kam qenë asnjëherë në Itali, as në Greqi dhe në asnjë vend të Evropës. Kam qenë vetëm në Mal të Zi për disa orë në prill. Nëse unë kam shkelur në shtetin italian, unë mbaj përgjegjësi dhe dorëzoj mandatin menjëherë. Nuk e di se ku bazohet PD-ja se jam dënuar në Itali. Është shumë e lehtë të verifikohet nëse kam qenë në shtetin italian”, deklaronte Gjetani.

Pas kërkesës së PD-së, kryeministri Edi Rama thërriti në takim Adriatik Llallën, ish-kryeprokuror i Shqipërisë, ku temë e diskutimeve ishte edhe mandati i Gjetanit. Pavarësisht kërkesës së opozitës, deputeti i PS arriti të ruajë mandatin e tij.

“Në djall vaftë”, çfarë tha Gjetan Gjetani një ditë para se Rama ta përjashtojë nga grupi i PS

Të fundit