Flash News

KRYESORE

“Sot vdes 25 qershori”, Basha tregon raportin e ri në Shqipëri: Qytetarët janë përballë pushtetit të krimit

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka theksuar përpara mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevardin kryesor të Tiranës, se 25 qershori ka vdekur, duke njoftuar nisjen e një aksioni më të ashpër politik kundër mazhorancës së kryeministrit Edi Rama.

Basha foli për një raport të ri midis forcave politike në Shqipëri dhe një raport të ri të qytetarëve të lirë përballë pushtetit të krimit.

Kryedemokrati kërkon krijimin e një qeverie antimafia që do të luftojë krimin në pushtet, do çojë përpara reformën në drejtësi dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Kryemadhi flet për fundin e Edi Ramës: Sot ka mbetur vetëm; nuk ka ambasador që e shpëton

Zagani u bën thirrje kolegëve: Denonconi kriminelët kushdo qofshin ata

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim:  Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës!

Për të shpallur solemnisht  se nuk e pranojmë më këtë bandë që i shërben vetëm interesat plackitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur shqiptarët dhe duke e shndërruar vendin në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës.  

Çdo e keqe, nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme.

Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.

Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.

Sot në emrin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve, në emër të opozitës kërkoj largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të paligjshme. Krijimin e qeverisë anti mafia, që do të luftojë krimin dhe do të çojë përpara refromën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme. Ky akt solemn është vendimi popullor i kësaj proteste. Të rinj dhe të reja, të moshuar dhe baballarë, dëshmoni këtu fundin e raporteve të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit.

Me këtë demonstrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri dhe një raport të vërtetë. Një raport të vërtetë mes forcave politike, por mbi të gjitha një raport të ri midis qytetarëve të lirë me pushtetin e krimit. Sot vdes 25 qershori, sot merr fund politika që mban pushtet të vjedhur. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarëve.

Deri dje e dinin vetëm disa, sot e dinë të gjithë shqiptarët, e ka parë e gjithë bota, ndaj sot dua të shpall në emrin tuaj se sot kemi zgjedhur të mos vuajmë thellë e më thellë, por të bashkohemi, të refuzojë të keqen dhe të luftojmë për ta larguar.

Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj në secilin bunker ku është futur, ‘Rama Ik’.

Kjo bandë po e realizon projektin e saj për pushtet absolut duke kërkuar të arrijë:

  1. Përqëndrimin në pak duar të pushtetit politik dhe ekonomik të vendit;
  2. Eksodin e shqiptarëve, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë;
  3. Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij.

Hidhni vështrimin dhe shikoni si po shpaloset kudo ky projekt: Pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me PPP, me koncesion, me korrupsion.

Shëndetësia, arsimi, nafta, bregdeti, parqet çdo gjë që duhet t’u shërbente shqiptarëve po grabitet nga oligarkët e Ramës.

E gjithë toka e Shqipërisë iu vu në dizpozicion drogës, dhe i gjithë shteti u vu në shërbim të trafikut të drogës, e gjithë policia u kthye në organizatë kriminale. Me paratë e drogës u blenë zgjedhjet. Me paratë e drogës tani po blihet ekonomia, investitorët e huaj u injoruan, u mbajtën larg. Ata që ishin në Shqipëri u rrahën dhe u përzunë që oligarkët qe ulen nate per nate ne sofrën e Ramës dhe kriminelët të mos kishin konkurencë.

Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori tepër shqiptarët në vendin e tyre si asnjeherë tjetër. Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim. Nuk është lëvizje e lirë. Shqipëria kështu vdes. Ne nuk mund të pranojmë këtë.

Integrimi në Europë u sabotua, sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të kësaj bande.

Njerëzit e thjeshtë u shpërfillën, u përçmuan, u trajtuan me arrogance dhe u dhunuan.

Për t’i  frikësuar,

Për t’i bërë të pafuqishëm,

për t’jua ulur kokën

Mbi ta po rëndojnë taksat e rritura, çmimet që nuk ndalen dhe dënimet e gjobat e zyrtarëve të shtetit që sillen si plackitës.

Mbi shqiptarët sundon papunësia, sundon varfëria.

Mbi shqiptarët rëndon padrejtësia, standarti i dyfishtë i Ramës që dënon të varfrin dhe të dobtin, mbron të kriminelin dhe hajdutin.

Kujtojmë sot 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes që Edi Rama e arrestoi dhe u çoi në vetëvrasje për një cigare hashash. Për Saimir Tahirin dhe Habilajt që janë kapur me miliona nga trafiku I drogës, Edi Rama ka ngritur shtetin në këmbë që ti mbrojë.

Sot në ditën botërore të Holokaustit është e udhës të kujtojmë thënien ogurzezë të Hitlerit:  Sa fat i mirë për qeveritë kur njerëzit nuk mendojnë!

Mafia në pushtet shpenzon çdo muaj miliona euro për të gënjyer, për të mashtruar, për të keqinformuar, për të shplarë mendjet e njerëzve.

Mafia në pushtet ka ngritur makinerinë më të madhe të propagandës që ka patur ndonjëherë Shqipëria.

Mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh të zezën.

Propagandë me para droge që tu mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie.

Se avionët e drogës janë mushkonja dhe kanabisi që shikonin kudo imagjinatë dhe jo realitet.

Se trafikantët dhe përdhunuesit janë deputetë dhe kryebashkiakë që punojnë dhe sakrifikojnë për Shqipërinë.

Se gjelbërim është të zësh parqet me kulla betoni dhe të mbjellësh bar në tarracë.

Se oligarkët grabitqarë janë bamirës që punojnë për Shqipërinë.

Mafia në pushtet paguan cdo ditë ushtrinë e mercenarëve që i shërbejnë për t’i llustruar faqen e saj të zezë.

Mercenarë të pacipë që politikanin në shërbim të krimit e shesin për njeri që po lufton krimin!

Mercenarët që sot propagandojnë se të gjithë janë njësoj,

se droga ka qenë gjithmonë këtu

se krimi ka qënë gjithmonë mes nesh,

se të gjithë paskan faj njësoj.

Por shqiptarët tani shohin qartë. Shqiptarët tani mendojnë dhe gjykojnë vetë.

Shqiptarët po e mposhtin frikën, po e mposhtin propagandën, po shpërfillin mercenarët.

Shqiptarët e kanë kuptuar se drejtësia nuk është një copë letër dhe fjalë në ajër, por ndëshkim i vërtet për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit.

Shqiptarët e dinë se në Shqipëri nuk ka drejtësi sa kohë Saimir Tahiri dhe qeveritarët e tjerë të lidhur me drogën dhe krimin janë në pushtet dhe jo në burg.

Shqiptarët e kuptojnë se në Shqipëri nuk luftohet krimi, kur kokat e drogës dhe të organizatave kriminale bredhin të lirë dhe kur paratë e drogës nuk i pengon askush të hyjnë në ekonomi.

Shqiptarët e dinë se ekonomia është e shkatërruar kur ata nuk gjejnë punë.

Shqiptarët e dinë se shëndetësia është e shkatërruar kur të sëmurët nuk kanë ilace.

Shqiptarët e dinë se po varferohen; e dinë se nuk paguajnë dot dritat, ujin dhe ushqimin e fëmijëve të tyre.

Shqiptarët e dinë se në BE nuk integrohesh duke integruar rrjetet e drogës dhe të krimit por duke integruar ligjet, ekonominë, dijet.

Shqiptarët e dinë se në Europë do të futen, kur të fusin kriminelët në burg.

Shqiptarët e dinë se nuk ka as drejtësi, as siguri, as punësim, as të ardhme me banditët në qeveri.

Nga ky shesh zëri ynë është i qartë:

Ne duam drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë.

Ne e duam Saimir Tahirin para drejtësisë, pa imuniteti, i duam ministrat dhe politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin në burg.

I duam kriminelët e drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, të gjobvënies dhe shantazheve në burg.

Sepse duam një qeveri të lirë nga krimi dhe nga oligarkia.

Ne duam mundësi për të punuar dhe ndërtuar.

Ne duam mundësi për sipërmarrjen.

Ne duam të çmontojmë monopolet dhe oligarkinë.

Ne duam një ekonomi që prodhon mirëqenie për të gjithë. Një shoqëri me dinjitet për të gjithë.

Ne duam një shoqëri europiane dhe një Shqipëri në Europë.

Ne e duam Europën, sepse ne duam vlerat e Europës:

Ne duam drejtësinë që ka Europa, duam lirinë dhe dinjitetin që ka Europa, duam qeverisjen e Europës.

Nuk e kërkojmë Europën duke kërcënuar, nuk e kërkojmë Europën duke shantazhuar:

Ne e kërkojmë Europën sepse jemi të aftë, plot besim dhe të jetojmë dhe punojmë me nder dhe me mund si të gjithë europianët.

Prandaj ne kemi vendosur të qëndrojmë ndaj të keqes dhe të luftojmë për të mirën.

Sot jam para jush,

Jo për të kërkuar pushtet për vete, por shtet të drejtë për të gjithë.

Jo për tu bërë vetë kryeministër, por që kushdo që të jetë kryeministër, shqiptarët të jenë mirë.

Vitet e fundit kanë qenë një përpjekje e madhe për mua dhe demokratët: me arritje dhe me zhgënjime.

Por një gjë ka qenë e pandryshuar:

Ne kemi zgjedhur gjithmonë të jemi në anën e njerëzve dhe të interesit të tyre.

Ne kemi zgjedhur të jemi me Dritan Zaganin, kur të tjerët e quanin tradhtar dhe mbrojnë sot e kësaj dite Saimir Tahirin.

Ne kemi zgjedhur të denoncojmë dhe të luftojmë kriminelët në Qeveri, Bashki e Kuvend, kur ky që i solli, bën biznes dhe qeveris me ta.

Ne kemi zgjedhur të luftojmë kundër drogës, kur të tjerët paguhen me paratë e drogës për të na sulmuar, dhe për të blerë pushtet e pasuri.

Ne nuk jemi lëkundur asnjëherë në zgjedhjen tonë.

Nuk do lëkundemi as tani.

Ne demokratët do të luftojmë për atë që kam luftuar këto katër vjet: një shoqëri europiane, një shoqëri të denjë, ku sundon drejtësia, arsyeja dhe mirëqenia për të gjithë.

Por kjo nuk është vetëm beteja jonë, vetem e opozites. Kjo nuk është vetëm beteja ime. Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve.

Prandaj jemi bashkë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.

Bashkë do të sjellim drejtësinë, integrimin dhe përparimin e vendit tonë.

Për ata që pyesin: Cfarë strategjie keni? Unë ju them sot: strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDËR kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia.

Për ata që pyesin cfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE FITORE — me cdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj!

Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë!

Le të bashkohemi në këtë betejë ka kthuim, në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët e ndershëm.

Të fundit