Flash News

KRYESORE

Sot votuan pro, ç’deklaronin më herët Majko dhe Xhafaj për ndryshimet kushtetuese: Jo me letra bakalli

Sot votuan pro, ç’deklaronin më herët Majko dhe Xhafaj

Dy figurat e Partisë Socialiste, ministri Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj u renditën krah shumicës së emrave (106) që votuan pro ndryshimit të Kushtetutës, për hapjen e pjesshme të listave dhe formulë të re koalicioneve me listë unike.

Ndonëse deri këtu nuk ka asnjë surprizë, në fakt vlen të theksohet se këto dy emra dikur kishin tjetër qëndrim për ndryshimet kushtetuese, ndryshe nga sot, kur u miratuan pa gjithëpërfshirje dhe në kohë pandemie.

Duket se qëndrimi i socialistëve , konkretisht i Pandeli Majkos, sot ministër i Diasporës, apo i ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, bie ndesh me deklaratat e tyre të pak viteve më parë, kur shpreheshin se ndërhyrjet kushtetuese duhet të bëhen vetëm me referendum dhe jo me “letra bakalli”.

Nuk mendoj se ndryshimet e Kushtetutës duhen bërë me letra bakalli, ashtu siç ndodhi herën e fundit (viti 2008). Mendoj se përballë njëri-tjetrit dhe sidomos përballë opinionit publik, që ndihet shumë i shqetësuar për mënyrën se si komportohet politika shqiptare në marrëdhëniet me interesat që ata duan që kjo politikë të mbulojë, ne na duhet që me seriozitet të ulemi përballë njëri-tjetrit dhe të diskutojmë.

Në fund të fundit aty ku do të ketë dallime ne kemi dhe historinë e një referendumi që pa u politizuar mund t’i ofrojë publikut një pjesëmarrje për të diskutuar një ligj, që është ligji themeltar i shtetit shqiptar, që vërtet diskutohet dhe votohet nga politikanët, por nuk është pronë e politikanëve”, deklaronte Majko në 2 gusht 2011.

Ideja e referendumit është hedhur gjithashtu këto kohë nga ana e Partisë Socialiste, si një zgjidhje e arsyeshme, në rast të mungesës, e theksoj, të mungesës së konsensusit për amendamentet kushtetuese që do të trajtoheshin. Ne jemi dakord të shkojmë në një referendum popullor”, deklaronte Xhafaj në 7 gusht 2012.

Megjithatë, dy emrat e rëndësishëm në PS, Majko dhe Xhafaj duket se kanë vënë në zbatim atë çka deklaronte Churchilli, të cilin Rama e ka cituar sa herë është pyetur se përse ka ndryshuar mendim për hapje listash.

Churchilli ka lënë shumë amanete për ata që merren me politikë. Në një ndër to thuhet se është budalla është ai që nuk ndryshon mendim. E them lidhur me listat e hapura, nuk kam qenë pro listave të hapura asnjëherë, nuk besoj se kanë efekt çudibërës, por nuk jam këtu për të mos ndryshuar mendim kur njerëzit i dëgjoj me shumë vëmendje.

E kam parë si është rritur interesi për lista të hapura. Për konsensusin parlamenti është bartësi kur vjen puna të ndërhyrja. Ne jemi vonuar, se kemi pritur që opozita të vijë në tryezë dhe pasi ne e nisëm procesin ata erdhën. Kishim në dorë ta bënim, por nuk e bëmë se donim të ishin të përfshirë. Ngaqë nuk shoh nga lindja nuk i mohoj realitetet politike”, është shprehur Rama.

Të fundit