Flash News

KRYESORE

Spahiu kritikon qeverinë: Rrisin taksën e naftës sepse nuk kanë më të ardhura në buxhet

Spahiu kritikon qeverinë: Rrisin taksën e naftës sepse nuk

Ish-deputeti i LSI, Përparim Spahiu ka kritikuar qeverinë për vendimin për të rritur taksën e naftës. Sipas tij, kjo ndodh për të rritur të ardhurat e munguara në buxhet. Ai theksoi se qeveria nuk merr parasysh asnjë nga vlerësimet e Komisionit Evropian, që ka këshilluar që taksat dhe tatimet të mos rriten më.

“Paaftësia për të ulur evazionin fiskal, pamundësia e bizneseve për të paguar tatimet dhe taksat, administrata e korruptuar tatimore, bënë që qeveria të propozojë një rritje të re takse mbi naftën. Edhe pse qeveria e quan tarifë, ajo është një taksë direkte, pasi qytetarëve nuk i ofrohet asnjë shërbim shtesë duke anashkaluar Parlamentin, si organi i vetëm që mund të rrisë apo të ulë tatimet dhe taksat.”, tha Spahiu për mediet.

Ai shtoi se qeveria Rama, ashtu si ligjin për ndryshimin e tatimit mbi dividendin, projektligji i Ministrisë së Energjisë për rezervën e karburanteve do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Edhe pse Shqipëria është vendi me çmimin më të lartë të naftës në rajon, qeveria gjen rrugën më të shkurtër, atë të taksimit direkt mbi naftën për të rritur të ardhurat e munguara në buxhet. Ne nuk presim që qeveria të reflektojë për qëndrimin e opozitës, por të paktën të merrte parasysh ndonjë nga rekomandimet e Fondit Ndërkombëtar Monetar, si dhe vlerësimet e Komisionit Europian, kur ky i fundit këshillon direkt me mos rritje të mëtejshme të tatimeve dhe taksave. Gjithashtu në analizën e tij Komisioni e vë theksin te niveli i lartë i Borxhit Publik, mbledhjen e taksave nën potencial, nivelin e ulët të konkurrueshmërisë, papunësinë e lartë te të rinjtë, cilësinë e ulët të edukimit dhe mungesën e vlerësimit të rrezikut për pagesat që duhen bërë për projektet e Partneritetit Publik Privat.”, vazhdoi ai.

Ish deputeti i LSI-së, shton se modeli ekonomik i Rilindjes, model që në fakt nuk kërkon asgjë përveçse partneritetit për të futur në borxh sa të munden shqiptarët për 15-20 vitet e ardhshme, është shkaku kryesor që shqiptarët kanë mbushur sheshet në protesta.

“Ky model i dështuar është thelbi se përse kjo qeveri kusare duhet rrëzuar, pasi ajo nuk prodhon asgjë veç varfërisë dhe largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre.”, përfundoi Spahiu.

Të fundit