Flash News

KRYESORE

SPAK nis zyrtarisht punën, reagojnë SHBA e BE në Tiranë: Nga sot, para drejtësinë zyrtarët e bosët që dikur ishin të paprekshëm

SPAK nis zyrtarisht punën, reagojnë SHBA e BE në Tiranë: Nga

Fill pas përfundimit të ceremonisë së betimit te presidenti të 8 anëtarëve të SPAK, (Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar”, kanë reaguar ambasada e SHBA dhe BE-së në Tiranë.

Të dyja ambasadat kanë përshëndetur këtë akt dhe e cilësojnë si një moment të rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi, për të vënë para drejtësisë zyrtarë e bosë të krimit që dikur cilësoheshin si të paprekshëm nga ligji.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK).

Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm.

Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, reagon ambasada e SHBA.

“Ne mirëpresim betimin për 8 prokurorët e SPAK para Presidentit. Tani ata janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE”, shkruan ambasadori Soreca në rrjetet sociale pas betimit.

Të fundit