Flash News

KRYESORE

Spanja intensifikon betejën kundër Kosovës, presion Bullgarisë për të mos pranuar në samit Thaçin dhe Haradinajn

Spanja intensifikon betejën kundër Kosovës, presion

Spanja po intensifikon betejën diplomatike kundër Republikës së Kosovës. E përditshmja spanjolle ‘El Pais’ raporton se kryeministri Mariano Rajoy ka marrë vendimin për të bojkotuar çdo takim apo samit ku ftohet edhe Kosova. Kjo lëvizje vjen si përpjekje e Madridit për të mos forcuar subjektin ndërkombëtar të shtetit ballkanik.

‘El Pais’ raporton gjithashtu se qeveria spanjolle po diskuton për zyrtarizmin e bojkotit të samitit të Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që është planifikuar të mbahet në gjysmën e dytë të muajit maj.

Gjithsesi, Madridi nuk po e konfirmon ende bojkotin për shkak se po bën presion në Bullgari, vendi që mban presidencën e BE-së dhe që do të organizojë samitin, për të mos ftuar aty Kosovën. Spanjollët kërkojnë që kosovarët të mos kenë simbolet kombëtare dhe te prezantohen nën logon e UMNIK. Një tjetër kërkesë është përjashtimi nga samiti i presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj pasi ata mund të jenë subjekt i Gjykatës Speciale.

Kjo është lëvizja e radhës e Madridit kundër Prishtinës, pas kërkesës ndaj Komisionit Europian për të mos e përfshirë Kosovën në strategjinë e zgjerimit.

Ndërkohë, Bullgaria e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e ka mbështetur vazhdimisht në institucionet ndërkombëtare. Por në rast se Kosova do të përjashtohej nga samiti i BE-së, me interes do të pritet reagimi i Tiranës, por edhe i Shkupit, nëse do të përsërisnin vendimin e marrë për takimin e Banja-Lukës, ku për shkak se Kosova u la jashtë, ato nuk morën pjesë gjithashtu në takim. Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të dështonte në rast të mungesës së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Të fundit