Flash News

OP-ED

Studentët nuk do ta lënë Shqipërinë vetëm  

Studentët nuk do ta lënë Shqipërinë vetëm  

Zef Zefi

Deklarata më shpresëdhënëse e protestës studentore sot është kur njëri prej tyre njofton se 'ne jemi këtu', sepse KEMI VENDOSUR TË JETOJMË NË SHQIPËRI.

Me fjalë të tjera ne nuk e lëmë Shqipërinë vetëm në duar të diktatorëve, të djeshëm e të sotëm, të unifikuar në organizatën aktuale po aq antikombëtare e po aq moniste sa ajo komuniste.

Të dashur studentë, jemi shumë që e lamë Shqipërinë vetëm. Edhe brezni po bëhemi shumë.

Na rreshtoni edhe ne ikësve me ata që e kanë lënë vetëm mëmë e atë-dheun, na gjykoni ashpër, po mos na dënoni, sepse kaq ditëm në kohën e dhënë si viktima të një burgu 50 vjeçar. Na ndodhi si të burgosurve të Platonit që dolën nga shpella, po u gjetën papritmas në atë të "Kantit."

Shumë prej nesh e ndjejnë se çfarë dëmesh i solli vendit ngutja jonë dhe janë shpirtërisht aty me bashkimin e rezistencën tuaj. Por mos harroni të gjykoni dhe dënoni ashpër me mosvotim deri me mosbindje organizatën që e fundosi Vendin tonë në këtë zezonë, në këtë mizerje ekonomike, politike e gjeopolitike, njësoj si paraardhësit e tyre gjenetikë e ideologjikë.

Sigurish,t keni mosmarrveshje me qeverinë për mashtrimin që ju bëri kryeministri aktual më saktë kryemashtruesi dhe "zaptia" i shumicës së shqiptarve në gjithë rajonin. Keni mosmarrveshje me skuadrën e Tij prej diletantësh në zotësi, por profesionistësh në dredhi bizantine, kërbaç, e sidomos në tradhëti.

Mbas pengesave, kurtheve, presioneve meskine por këmbëngulëse, do të vërshojnë edhe policët e kazermës, në fillim për t'ju tutur, por sigurisht për t'ju thyer në vendosmërinë tuaj.

I keni parë se sa të egër e pamëshirshëm, sa meskinë e të pabesë janë bërë policët e shtetit (në fakt të pushtetit leviatanik të inkriminuar ndërkombëtarisht) me rezistentët e artistët në mbrojtje të Teatrit Kombtar, me lëvizjet anti-kozmopolite "anti-soros",me mbrojtësit e shtëpive të tyre deri me fëmijë të mitur e pleq, mbrojtësit e të drejtave kushtetuese dhe liritë, protestat jopolitike e politike në gjithë Shqipërinë.

Keni parë e ndjekur shpresoj me vemendje se çfarë heqin gazetarët, tv, emisionet e tyre, shoqëria civile, burokratët dhe administrata shtetërore madje edhe institucione që nuk janë të asnjë kryeministri, të cilët nuk rreshtohen dhe nuk i nështrohen propagandës të përbindshme të  Ertv-ve, arrogancës e dhunës së tyre.

Studentë, ju keni vendosur të mos e lini Shqipërinë vetëm. Ky është një nga lajmet më të bukura, që na mbërrin nga Shqipëria. Bëjeni dritë këtë shkëndijë edhe për fytyrzinjtë e obskurantizmit.

Shqipëria me ju në ballë, nuk është kurrë vetëm.

Të fundit