Flash News

OP-ED

Studiuesi i Cambridge U: Ajo çka BE nuk kupton sa i takon integrimit të Ballkanit

Studiuesi i Cambridge U: Ajo çka BE nuk kupton sa i takon integrimit

Timotthy Less / The Globe Post

Nëse fjalët do të thonin më shumë se veprimet, Ballkani do ta kishte të sigurt hyrjen një ditë në Bashkimin Europian. Mjerisht, sigurimet e dhëna nga zyrtarët e BE në Poloni javën e kaluar se zgjerimi i bashkimit është një "prioritet i lartë" injoron realitetin e pashmangshëm që BE nuk është në gjendje të zgjerohet.

Sigurisht, ekziston një argument i fuqishëm për zgjerimin e BE në një rajon ku mospërputhja e popujve dhe e kufijve është një burim i fortë paqëndrueshmërie. Duke përfshirë një grup shtetesh të brishtë multietnikë në një strukturë më të madhe politike ku kufijtë nuk kanë rëndësi, kombet e ndara si serbët dhe shqiptarët mund të bashkohen në mënyrë efektive, siç ishin dikur në Jugosllavinë e vjetër.

Për këtë arsye, BE në dhjetëvjeçarin e fundit i ofroi Ballkanit një skemë bazë: braktisni planet për të krijuar shtete-kombe, bëni paqe me fqinjët, futjuni reformave dhe eventualisht do t'i bashkoheni BE-së, me të gjitha përfitimet që kjo sjell - paratë, liria, respekti, dhe kështu me radhë.

Në përgjithësi, oferta u pranua. Edhe në Serbi, që për vite u drejtua nga linja të ashpra nacionaliste, votuesit përfundimisht zgjodhën një qeveri e cila është e gatshme të njohë shtetin e shkëputur të populluar nga shqiptarët në këmbim të mundësisë së antarësimit në BE.

Mbijetesa e BE-së dhe Zgjerimi

Sidoqoftë, kishte ngjarje që ndërhynë, veçanërisht kolapsi financiar i vitit 2008, i cili u shndërrua në një krizë ekonomike dhe më pas një krizë të plotë politike që paralizoi institucionet e BE dhe shkaktoi një reagim anti-estbalishment.

Me procesin e integrimit ende në pelena, BE është detyruar të tërheqë ofertën e saj të mëparshme të anëtarësimit në Ballkan, pasi udhëheqësit politikë në vende të tilla si Franca, Holanda dhe Danimarka i japin prioritet mbijetesës së BE dhe jo zgjerimit në lindje.

Shqetësimi i tyre parësor është shmangia e dhënies së 'municioneve' partive euroskeptike që kanalizojnë konceptin popullor rreth Ballkanit si një parajsë krimi, emigracioni të paligjshëm dhe islamizmi radikal, që mund të shkatërrojnë BE nëse vijnë ndonjëherë në pushtet. Në terma më të gjatë, nëse përfshirja e një sërë shtetesh të varfra dhe të trazuara të Ballkanit do të dobësojë një BE tashmë të brishtë - siç mendon Emmanuel Macron i Francës - atëherë ka kuptim që zgjerimi nuk mund të lejohet të ndodhë.

Me këtë kontekst nuk ishte çudi që udhëheqësit europianë muajin e kaluar (përsëri) hodhën poshtë një rekomandim nga zyrtarë e BE për të hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në mënyrën tipike të Brukselit, udhëheqësit nuk kanë dhënë një "jo" kategorike, duke rënë dakord që të rishikojnë çështjen në tetor. Por mesazhi ishte i qartë: nëse dhe derisa BE të kapërcejë problemet e saj të shumta të brendshme - diçka për të cilën nuk ka asnjë shpresë të afërt - Ballkani nuk do të antarësohet. Pra, çfarë i mbetet rajonit?

Integrimi Europian dhe Nacionalizmi

Nëse integrimi do të ndreqte të gjitha problemet që lindin nga mospërputhje e popujve dhe kufijve, atëherë mungesa e integrimit do të thotë se nuk ka shpresë për ndreqje. Dhe kjo, nga ana tjetër, do të thotë se elitat politike lokale në Ballkan, të cilët janë investuar shumë në një politikë të dështuar të integrimit europian, do të përqafojnë një nacionalizëm të fjetur si mjet për të ruajtur legjitimitetin e tyre.

Në fakt, kjo është më pak një prognozë e së ardhmes sesa një përshkrim i një realiteti në zhvillim. Ndërsa shpresat e Shqipërisë për t'u bashkuar me BE zbehen, qeveria e saj tashmë po ndërmerr hapa për të bashkuar vendin me Kosovën fqinje, shansi më i mirë i të cilit për të përfunduar gjendjen e pezullisë ligjore është bashkimi me shtetin e njohur ndërkombëtarisht të të Shqipërisë.

Kjo po e ndryshon përllogaritjen politike në Beograd, ku një qeveri që po fillon të kuptojë se Serbia mund të mos bashkohet kurrë me BE, ka kërcënuar në javët e fundit që të vendosë ushtrinë e saj në një enklavë të populluar nga serbët në veri të Kosovës nëse popullsia lokale është e rrezikuar - në fakt, aneksim.

 

Riorganizimi i Ballkanit

Nëse shkojnë drejt finalzimit, lëvizjet si këto do të kenë implikime më të gjera. Serbët në Bosnje dhe Herzegovinë presin të ndahen nga shteti i tyre i padëshiruar adoptues dhe një krizë e përtërirë mbi kufijtë në Serbi është një mundësi që ata nuk do ta lënë të kalojë.

Për sa kohë që Serbia mendon se ka një shans për t'u bashkuar me BE, nuk dëshiron të shkaktojë pakënaqësi në Bruksel, apo të komplikojë jetën e vet duke flirtuar me entitetin politik boshnjak të popullura me serbë, Republika Srpska. Megjithatë, gjërat do të duken ndryshe kur Kosova të jetë e humbur më në fund, anëtarësimi në BE të jetë vetëm një ëndërr e zbehur dhe Republika Srpska të shihet si kompensim.

Në mënyrë të ngjashme, Maqedonia e Veriut nuk mund t'u shpëtojë pasojave të ndonjë riorganizimi të rajonit. Tani për tani, pakica e pakënaqur e saj shqiptare është e bllokuar, nuk ka se ku të shkojë dhe po përpiqet të përmirësojë gjendjen e vet si një komunitet i padëshiruar në një shtet me shumicë sllave. Megjithatë, nëse Shqipëria dhe Kosova përfundimisht formojnë një shtet kombëtar shqiptar, shqiptarët e  Maqedonisë me siguri do të duan të jenë pjesë e saj.

Nuk ka gjasa që ndryshime dramatike të tilla mund të kalojnë pa dhunë në një rajon ku toka është thellësisht e kontestuar. Serbët, shqiptarët, boshnjakët dhe maqedonasit pretendojnë të gjithë territorin që është formalisht pjesë e shtetit "të tyre", por të banuar nga të tjerët dhe nuk do t'u lejojnë të tjerëve ta marrin këtë tokë pa bërë një luftë.

Shtetet-kombe

Kjo na sjell përsëri te takimi i nivelit të lartë në Poloni ku paqartësitë për zgjerimin në Ballkan kanë efektin e vërtetë dhe të dëmshëm të tërheqjes së vëmendjes nga faktet në terren - se rajoni është në prag të një riorganizimi epokal në shtetet kombëtare, me pasoja potencialisht destabilizuese.

Kjo kërkon një përgjigje politike shumë të ndryshme nga udhëheqësit europianë: jo thirrje të kota për integrimin e një rajoni që nuk mund të integrohet, por një plan për menaxhimin e riorganizimit të tij në mungesë të integrimit.

Në realitet, megjithatë, ka shumë pak shanse që liderët e BE që ngrihen në lartësinë e thirrjes, ndërsa janë të shqetësuar me problemet në shtëpinë e tyre. Nëse nuk mund ta mbajnë premtimin e vjetër për integrimin e Ballkanit, pothuajse me siguri ata kanë mungesën e mjeteve për të mbikëqyrur tranzicionin e komplikuar të një rajoni të copëtuar në shtetet e reja kombëtare.

Atëherë, Evropa duhet të bëhet gati për pasojat e pashmangshme.

*Autori është drejtor i New Intemarium, një projekt kërkimor i Universitetit të Cambridge në Britaninë e Madhe.

**Përkthimi nga anglishtja: Politiko.al

Të fundit