Flash News

KRYESORE

Stuhia shkakton dëme në bujqësi, nga përvoja fermerët nuk presin ndihmë

Stuhia shkakton dëme në bujqësi, nga përvoja fermerët

Erërat e forta dhe shiu që ra me intensitet të lartë pasditen e së hënës ka shkaktuar dëmtime të mëdha në pemët frutore si dhe serrat e mbuluara me plastmas.

Stuhia e cila ka përshkuar nënprefekturën e Lushnjes nuk ka kursyer as tabelat e hekurta të vendosura në autostradë apo dhe tabelat reklamuese.

Mbjelljet e vjeshtës për dhjetëra fermerë kanë dështuar sapo kanë nisur duke shkaktuar dëme të mëdha në sferën e bujqësisë.

Nga erërat e forta janë dëmtuar totalisht të paktën 4 serra me sipërfaqe nga dy deri në katër dynymë, ndërsa dëmtimet e plastmasit mbulues kanë qenë pothuaj në 60 përqind të serrave.

Një prej fermerëve të dëmtuar nga moti i keq u shpreh për “Top Channel” se janë të paktën 2 milionë lekë të vjetra dëm në serrën e tij, pasi plastmasi është pothuajse i papërdorshëm.

Drejtoria e Bujqësisë në Lushnje ka nisur në terren grupet e punës për të patur një pamje të plotë të dëmeve të shkaktuara nga stuhia e djeshme, por nga përvoja, fermerët nuk presin ndonjë ndihmë konkrete.

Të fundit