Flash News

KRYESORE

Sulmi ndaj Beti Njumës, Meta 'shuplakë' qeverisë: Të përmbysim regjimin e neveritshëm mediatik; koha e ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh

Sulmi ndaj Beti Njumës, Meta 'shuplakë' qeverisë:

Presidenti Ilir Meta ka reaguar me tone të ashpra ndaj qeverisë përsa i përket çështjes së lirisë së medias. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se “tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.”

Presidenti ka vendosur të dal hapur kundër mazhorancës, ndërsa shprehet se “koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.”

Po ashtu, në reagimin e tij për lirinë e medias, Meta ka shprehur mbështetjen ndaj moderatores dhe njëkohësisht ish- drejtoreshës së informacionit të ORA News, Beti Njuma, pas publikimit të SMS-ve kërcënuese dhe presionit të bërë ndaj saj.

“Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment. Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner!”, shkruan ndër të tjera Meta.

Reagimi i plotë i Metës:

Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.

Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.

Asgjë nuk e ndal Ndryshimin!

Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.

Tani ka ardhur Kohë tjetër!

Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti.

Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve!

Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij.

Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment.

Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner!

Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi.

Të fundit