Flash News

KRYESORE

A do ta hajë Monika ngjalën?

A do ta hajë Monika ngjalën?

Alfred Lela

'Me ne fitojnë të gjithë', ka qenë një prej sloganeve të parë dhe të vjetër të Partisë Demokratike. Evokonte gjithpërfshirjen dhe shpresonte te kapja e një elektorati skeptik, apo të pabindur, në virtytet e një klase të re politike që po montohej në vend përmes vrullit të ethshëm të ndryshimit.

Në njëfarë mënyre, slogani ishte vazhdimi i një tjetër motoje të mëhershme që lidhet me fillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri 'bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë'. Bashkëfajtorët, në këtë moment të dytë politik të Shqipërisë, ftoheshin që edhe të 'fitonin'.

Nuk do dyshim se fitorja është në thelb të ekzistencës politike. E tillë sa, një parti që mund të dalë, teorikisht, gjithmonë fituese, i dhemb më shumë kur e sheh veten të humbur apo me humbësit. Ky mund të jetë rasti i Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila ka qeverisur Shqipërinë si partner i vogël koaliconi në dy qeveritë paraardhëse të Shqipërisë. Kështu, LSI u bë partia me të cilën fitonin të gjithë, ose partia që fitonte nga të gjithë.

Partia e Metës, në të dy rastet, ka qenë vagoni në një tren ku lokomotivat kanë qenë herë kokë blu, PD, dhe herë rozë, PS.

Në të dy trenat qeveritarë, LSI është bërë pjesë e një keqkuptimi apo paradoksi, quajeni si të doni. Në qeverinë e Berishës, ku Meta ishte Dyshi duke marrë edhe disa portofole të rëndësishme ministrore, LSI u pa vazhdimisht si pjesa e kalbur e mollës, si më e korruptuara. Rrufetë e moralit binin të gjitha mbi njerëzit e Metës. (Qëllimi i këtij editoriali nuk është të thotë a ishin me vend këto akuza ndaj partnerit të vogël të koalicionit qeveritar, apo jo).

Në qeverinë e dytë, që u ngjiz në një darkë me ngjala në 1 prill të vitit 2013, Rama dhe Meta bënë një pakt, por jo ekzorcizmin e nevojshëm për të nxjerrë nga shpirtrat e tyre djallin e ftohtë të mosbesimit, dhe ndoshta edhe padurimit për tjetrin. Tabloja, pavarësisht kësaj, ose ndoshta bash prej kësaj, u përmbys. Njerëzi e Ramës i bënë njerëzit e Metës t'u vinte turp nga korrupsioni; duke i bërë të duken fillestarë. E gjitha kjo filtruar në gafën e famshme të Eduard Shalsit në një studio televizive "ne nuk do të vjedhim si këta". Shalsi mbeti jashtë llokmave të qeverisë ndoshta bash prej kësaj shprehjeje, por të tijtë nuk 'e lanë në baltë': ata ndërtuan një sistem uzurpator dhe të sofistikuar mashtrimi e vjedhjeje, sa LSI duket një Mari Magdalenë mëkatet e së cilës mund ta falen sapo këtej pari të kalojë dishepulli i parë i Krishtit.

(Meqë ai nuk do ta kalojë ndonjëherë, le ta blatojë një falje instinkti politik!).

Paradoksi fillon tani: Edhe pse korrupsioni i perceptuar i LSI kapte indeks më të lartë në qeverisjen me PD, pikërisht në 'jetën e dytë qeveritare' të partisë së Metës njerëzit e tij u ndëshkuan. Disa drejtorë dhe disa ministra të LSI, që kanë patur punë me rrugët, janë pas hekurave të burgjeve dhe dyerve të gjykatave.

Nëse Sali Berisha, duke prodhuar një darkë e cila mund të ishte 'e gabuara' për të, por jo 'e fundit' për 'vëllamin' e tij të vogël të koalicionit, e fali kokën, atëherë të madhe, të Ilir Metës, Edi Rama sillet nëpër qytet duke vallëzuar (it takes two to Tango) hijen e gjatë të një kërcënimi për LSI dhe njerëzit e saj.

A thua te kjo gjasë fle meraku i shpërhapur në media ditët e fundit për një ripërtëritje të aleancës së vjetër PS-LSI? Meqë ra fjala, 1 prilli është afër dhe populli mund ta rihajë rrenën e vjetër të rilindjes së rilindur. Pse jo?!  

Pa ndonjë lidhje, pa ndonjë ngjarje që e shpjegon, kur zgjedhjet vendore janë më shumë se një vit larg, dhe ato parlamentare më shumë se tre, teza e rikthimit të partneritetit të dështuar me PS, ngjan si nëpërgjumje, diversion ose dëshirë.

Partia e Kryemadhit, sidoqë të jetë, është e dënuar me partneritete dhe koalicione, si e vetmja mënyrë drejt pushtetit. Por, jo çdo mënyrë drejt pushtetit është e duhura dhe sidomos produktivja.

Megjithatë, ndonjëherë, pushteti bëhet qëllim i dytë dhe liria është para të gjithave. Në këtë rast nuk mund të pyetet: A do ta hajë Monika ngjalën?

Të fundit