Flash News

KRYESORE

Tabaku publikon raportin e Standart and Poors: Ekonomia shqiptare ndër 15 më të rrezikuarat në botë për shkak të koronavirusit

Ish deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka publikuar në Facebook një raport të Standart and Poors, sipas të cilit vendi jonë rrezikon të jetë një nga 15 vendet me rrezikun më të lartë për ekonominë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ajo thekson shqetësimin e PD, se ekonomia jonë është më e rrezikuara në gjithë rajonin.

Tabaku arsyeton se për këtë shkak qindra familje rrezikojnë të mbeten pa të ardhura.

Ajo apelon qeverinë të shpalosë një plan ekonomik serioz, në të kundërt do ketë pasoja të rënda.

“Shqipëria është një nga 20 vendet më të rrezikuara edhe në lidhje me  mungesën e të ardhurave për qytetarët e Shqipërisë. Kjo mungesë  të ardhurash nëse nuk veprohet nga qeveria MENJËHERË do të godasë shumë rëndë qindra mijë familje shqiptare.

Ekonomia e brishtë rrezikon shumë nga kjo krizë edhe sepse shqiptarët dhe mbi të gjitha shtresa e mesme që ka mbajtur peshën e taksave të larta, bizneset e vogla që mbajnë mbi 200 mijë familje pak mbi kufirin e varfërisë po goditen rëndë nga masat e marra prej pandemisë. Konsumi i qytetarëve ka rënë, investimi i bizneseve për të zgjeruar biznesin e tyre ka rënë. Pagat janë të ulëta ndërsa kostoja e jetesës është rritur.

Nëse qeveria nuk ndërhyn sot për të shpalosur një plan ekonomik serioz në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë, shqiptarët do ta vuajnë më gjatë se gjithë rajoni krizën ekonomike. Shuma qesharake prej 14 mln lekësh vetëm për një të tretën e bizneseve të vogla është E PAMJAFTUESHME.

  1. Çfarë do të bëhet me të paktën 35 mijë biznese të vogla me xhiro deri në 140 milionë lekë që nuk perfitojnë nga paketa e ndihmës?
  2. Çfarë do te behet me dhjetëra mijera të papunë, që nuk janë pjesë e skemës së papunësisë? Me çfare do te ushqehen ata?
  3. Çfarë do të bëhet me rreth 70 mijë familje qe i kanë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmes ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë? Kush do të kujdeset për ta?
  4. Çfarë do të bëhet me mijëra ambulantët që nuk janë përfshirë fare në vendimin gjysmak të qeverisë? Si do të ushqehen ata, kur qeveria ka ndaluar aktivitetin e tyre?

Për këto pyetje qeveria nuk ka një përgjigje. Për këto shtresa qeveria dhe buxheti saj nuk ka përgjigje. Nuk ka buxhetuar kurrgjë për këto shtresa vulnerabël dhe për pjesën më të madhe të punësuarve edhe bizneseve”, shkruan Tabaku.

 

Të fundit