Flash News

KRYESORE

Takimi me shoqatën/ Presidenti Meta: Durrësi, xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë

Takimi me shoqatën/ Presidenti Meta: Durrësi, xhevahir i çmuar

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot kryesinë e shoqatës “Durrësi”, të përfaqësuar nga Shpëtim Metani, Lumturi Ngjala, Agim Shehi, Rifat Bilali dhe Gjon Huli.

Presidenti vlerësoi kontributin e shoqatës në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve.

“Durrësi është një xhevahir i çmuar i historisë së Shqipërisë, për vlerat e spikatura patriotike, intelektuale, artistike e kulturore, si vatër e rëndësishme e atdhedashurisë dhe dijes nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për trashëgiminë e pasur, autentike dhe të jashtëzakonshme arkeologjike, që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik.

Mbrojtja dhe promovimi i këtyre vlerave që na bëjnë krenarë si shqiptarë duhet të jetë një prioritet madhor për të gjithë ne.  Sepse duke dashur vendlindjen, rrënjët tona, të parët tanë dhe trashëgiminë e vyer që na kanë lënë, fëmijët dhe të rinjtë do mund të ndërtojnë një të ardhme më të sigurtë në Shqipëri.

Duke vlerësuar punën e shkëlqyer me pasion e përkushtrim që keni bërë në këtë drejtim, ju inkurajoj të vijoni më tej”, u shpreh Meta.

Të fundit