Flash News

KRYESORE

Takimi me rusët ne fushatë/ Trump: Nuk ka shans që prokurori Mueller të më marrë në pyetje!

Presidenti amerikan Donald Trump tha se "nuk duket të ketë gjasa" që ai të intervistohet nga prokurori i posaçëm Robert Mueller lidhur me hetimin që po bën zoti Mueller ndaj akuzave se fushata presidenciale e zotit Trump ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë. Sipas disa njoftimeve, zoti Mueller u ka thënë avokatëve të Presidentit Trump se ekipi i tij do të donte ta intervistonte presidentin si pjesë e hetimit. Zoti Trump e ka quajtur hetimin një "manovër e demokratëve”.

 
"Meqë nuk ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë dhe askush nuk ka gjetur diçka të tillë, duket se nuk ka fare gjasa për t’u intervistuar.” Zoti Trump i bëri komentet të mërkurën në një konferencë shtypi, pas një takimi me kryeministren norvegjeze Erna Solberg. Zoti Trump e ka quajtur hetimin një "manovër e demokratëve”. Deri tani, hetimi ka rezultuar në një padi ndaj ish-drejtuesit të fushatës së zotit Trump, Paul Manafort dhe një pranim fajësie nga ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Flynn. Po dje, Presidenti Trump e quajti hetimin "gjuetia më e madhe e shtrigave në historinë amerikane". Zoti Trump sulmoi gjithashtu ashpër Senatoren Demokrate të Kalifornisë, Dianne Feinstein, e cila publikoi të martën tekstin e një interviste që dha në senat në muajin gusht kreu i kompanisë Fusion GPS, Glenn Simpson. Fjala është për kompaninë e cila hartoi dosjen që përmbante aludime për një bashkëpunim të fshehtë mes fushatës presidenciale të zotit Trump dhe Rusisë. Firma e zotit Simpson punësoi ish-agjentin britanik Christopher Steele, për hartimin e dosjes. Kërkimet për dosjen u financuan nga demokratët, duke përfshirë fushatën e rivales së zotit Trump në zgjedhje, Hillary Clinton. Zoti Trump ngul këmbë se hetimet rreth një bashkëpunimi të fshehtë me Rusinë janë një justifikim i demokratëve për të shpjeguar fitoren e tij ndaj zonjës Clinton.

Të fundit