Flash News

KRYESORE

Të besuarit dhe të rekomanduarit; çfarë i solli në qeveri ministrat e rinj dhe pse Rama shpejtoi ndryshimet në kabinet

Të besuarit dhe të rekomanduarit; çfarë i solli në

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, e cila u mblodh në 28 dhjetor, Edi Rama njoftoi ndryshimet në qeveri duke shkarkuar shtatë ministra si dhe zëvendësin e tij. Lëvizja në fjalë duket se kapi të papërgatitur edhe vetë socialistët.

Një burim në selinë rozë i tha Politiko-s se ndryshimet në kabinet ishin parashikuar të ndodhin në fund të muajit mars, kohë kur PS do të mbledh Kongresin dhe do të nisin përgatitjet për zgjedhjet. Pak e a shumë e njëjta skemë e ndjekur edhe para zgjedhjeve të 2017-ës, ku katër ministra(Tahiri, Beqaj, Çuçi dhe Klosi) u larguan nga detyra pak muaj para zgjedhjeve të qershorit.

Por ky parashikim i bërë edhe vetë socialistët nuk rezultoi i saktë dhe Asambleja e thirrur për të bërë bilancin e vitit 2018-ës përfundoi me “prerje kokash”.

Të papërgatitur u gjetën socialistët edhe sa i takon emrave të cilët Rama vendosi t’i përfshijë në kabinet. Sipas po të njëjtin burim, anëtarët e Asamblesë u njohën me emrat e ministrave në kohën kur ato u lexuan nga kryeministri.

Sa i takon emrave të rinj, duket se ata i përkasin dy kategorive, të besuarit e Ramës dhe të rekomanduarit.

I njëjti burim nga maxhoranca i tha Politiko.al se emrat Gent Cakajt dhe Besa Shahinit, dy shqiptarët nga Kosova që do të drejtojnë përkatësisht ministrinë e Jashtme dhe atë të Arsimit, i janë sugjeruar Ramës nga gazetari Baton Haxhiu, i njohur si njeri i afërt i kryeministrit. Si Cakaj ashtu edhe Shahini më herët mbanin postin e zëvendësministrit në ministritë që tashmë do të drejtojnë.

Ndërkohë sa i takon emrave të tjerë, ata janë pjesë e listës së të besuarve të Edi Ramës. Belinda Balluku, e cila do të drejtojë ministrinë e Transporteve ka qenë pjesë e bashkisë së Tiranës në kohën kur Rama ishte kryetar i saj, madje duke mbajtur edhe poste të larta si shefe kabineti.

Blendi Çuçi, Eduard Shalsi dhe Elva Margariti njihen si bashkëpunëtor të vjetër të kryeministrit aktual ku dy të parët kanë qenë edhe në mandatin e parë pjesë e qeverisë. Nga ana tjetër, Anila Denaj, e cila do të drejtoj ministrinë e Financave, është e njohur për raportin e afërt me bashkëshorten e kryeministrit.

Afrimi i Erion Braçes në qeveri, duke i dhënë postin e zëvendëskryeministrit, një pozicion i zhveshur nga kompetencat ku detyra më e lartë është drejtimi i mbledhjes kur mungon Rama, duket se është një lëvizje për të shuar zërat e pakënaqësisë së socialistëve që mund të krijohen për shkak të emrave të rinj të cilët nuk fort politikisht të lidhur me Partinë Socialiste./Politiko.al

Të fundit