Flash News

KRYESORE

Të çmendur pas spinner. Psikologët: Sjell rrezikshmëri si “Balena Blu”

Të çmendur pas spinner. Psikologët: Sjell rrezikshmëri si

Lodra “fidget spinner” është përhapur aq shumë sa fëmijët duket se nuk i rezistojnë dot. Flutura anti-stres është objekti i cili momentalisht po çmend botën. Kjo pajisje përshtatet më së miri me dorën tuaj, ku pjesa qendrore mbështetet në gishtin tregues dhe në gishtin e madh, ndërsa tri pjesët e tjera i rrotulloni në gjendje të lirë. Por këto lojëra nuk janë pritur mjaft mirë kudo. Dy ditë më parë u bë me dije që dogana gjermane do të shkatërrojë mbi 35 tonë të “fidget spinner”-ëve, pasi janë cilësuar si të pasigurt. Për të mësuar më shumë nëse ka pasoja nga ky objekt, psikologia Alma Kaca, ka rrëfyer për Konica.al ndikimin e kësaj loje te fëmijët.

“Në fakt është paraqitur si një lojë antistres dhe efektet e para mund t'i ketë vërtet të tilla. Duke qenë se është e ndërtuar që të rrotullohet lehtësisht dhe është edhe me ngjyra apo drita, shpeshherë është për të tërhequr vëmendjen. Për mendimin tim, masat duhet të merren edhe për fëmijët shqiptarë. Në Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ALO 116, marrim shumë telefonata që tregojnë për fëmijë që ndjehen vetëm dhe të neglizhuar. Përveç faktit që loja ka përmbajtje metali, mund të shtojë akoma më shumë përqendrimin në një objekt dhe humbjen e vëmendjes dhe aktivitete nga jeta e përditshme. Fëmijët mund të fokusohen gjerësisht dhe kjo mund të pengojë marrëdhëniet ndër-personale. Perveç faktit që loja është e ndërtuar me metal dhe mund të ketë pasoja shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë, së bashku me ekspertë të fushës dhe psikologë, duhet të kontrollojnë cilësinë dhe shpërndarjen e kësaj loje në vendin tonë dhe nëse është e mundur të bisedohet me fëmijët, për të matur nivelin e përdorimit dhe rrezikshmërinë e saj”, ka thënë ajo.

Çdo ditë e më shumë po shtohet interesi për këtë lojë, e pyetur nëse mund ta krahasojmë me “Balenën Blu”, psikologia thotë:

“Çdo gjë që përcillet si trend dhe sa më shumë reklamohet edhe nga mediat, mund të krijojë rrezikshmërinë e saj, sepse fëmijët njihen vetëm me lojën, pa ditur efektet negative. Mund te them që “Balena Blu” është lojë sfiduese dhe i çon fëmijët drejt vetëvrasjes. Ndërsa spinneri është një lojë aspak kreative, po thjesht motorike, që mund ti çojë në mbyllje të vetvetes. Mbase nuk kanë në pamje të parë të njëjtat efekte, po të dyja sjellin rrezikshmëri”.

Të fundit