Flash News

KRYESORE

Të dënuarit në Burrel futen në grevë urie, Avokati i Popullit: Të mbyllet burgu

Të dënuarit në Burrel futen në grevë urie, Avokati i

18 të dënuar në burgun e Burrelit kanë hyrë në grevë urie për shkak të kushteve të këqija në këtë institucion. Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë qenë sot në Burrel ku kanë parë nga afër situatën.

“Nga deklarimet është konstatuar se: disa vuajtës të dënimeve për vepra të ndryshme në këtë burg kanë nisur me refuzimin e vaktit të drekës si shenjë e shpalljes së një greve urie në shenjë proteste për mosplotësimin e një numri kërkesash të tyre. Shkaqet kryesore të këtij refuzimi përfshijnë kushtet e këqija të jetesës në këtë institucion të vuajtjes së dënimit të cilat lidhen me infrastrukturën e vjetëruar dhe te amortizuar të këtij burgu. Gjithashtu, të dënuarit ngrenë pretendime mbi cilësinë e trajtimit ushqimor që u jepet në këtë institucion, për mungesën e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve, për procedurat e transferimit nga burgje të tjera për në burgun e Burrelit, etj”, thuhet në reagimin e AP.

Përfaqësuesit e Avokatës së Popullit thonë se “drejtuesit e burgut të Burrelit janë aktualisht në negociata me pjesëmarrësit në grevë dhe janë informuar mbi protokollin e saj.”

Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e burgut të Burrelit si masë ekstreme “për shkak të kushteve të tij vërtet të vështira dhe aspak të përshtatshme për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë dinjitoze.”

“Avokati i Popullit nënvizon se ndonëse në disa prej institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale anembanë Republikës vërehen përpjekje për përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve, zgjidhja tërësore dhe pa asnjë përjashtim e problemit të atyre burgjeve që ende nuk arrijnë të marrin “notë kaluese” për sa u përket kushteve që ofrojnë për qytetarët që kryejnë dënimet në to, mbetet një sfidë për autoritetet tona përgjegjëse”, thuhet në reagim.

Të fundit