Të gjithë në Mynih të Gjermanisë, përveç Edi Ramës

Jo vetëm që nuk po realizon takime në kancelaritë e Evropës, por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbetur edhe jashtë konferencave të rëndësishme ndërkombëtare.

Pothuajse të gjithë liderët e rajonit ndodhen aktualisht në Mynih të Gjermanisë ku po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë. Politiko.al raporton se Kosova përfaqësohet në konferencë nga Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi; Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç; Maqedonia nga kryeministri Zoran Zaev; Greqia nga kryeministri Aleksis Tsipras; Kroacia nga kryeministri Andrej Plenković; Rumania nga presidenti Klaus Iohannis.

Të gjithë liderët e sipërpërmendur janë të ftuar në panele diskutimi me homologët e tyre të Evropës. Ndërkohë që në Mynih ndodhet edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, por sipas agjendës, ai nuk do të jetë i pranishëm në asnjë panel për të diskutuar.

Të pranishëm do të jenë gjithashtu: Angela Merkel (Gjermani); Mike Pence (SHBA); Sergei Lavrov (Rusi); Jean-Yves Le Drian (Francë); Joe Biden (SHBA); Mohammad Javad Zarif (Iran); Abdel Fatah al-Sisi (Egjipt); Sauli Niinistö (Finland); Petro Poroshenko (Ukrainë); Tarō Kōno (Japoni); Chrystia Freeland (Kanada); Federica Mogherini (BE), etj.

Përveç mungesës së një ftese në Konferencën e Mynihut, kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm as në Konferencën e Davosit, në Zvicër, e cila u organizua pak javë më parë. Atje, presidenti i Serbisë, Vuçiç, pati mundësinë të takohej me shumë homologë, përfshirë kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Bojkoti që po përjeton kryeministri Edi Rama në Evropë po penalizon gjithnjë e më shumë Shqipërinë, e cila kërkon në qershor hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Tirana ka mbetur gjithashtu mbrapa fqinjve të saj, që po përfaqësohen dhe po flasin në konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare.

I pari evropian që vizitoi Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit, flet Rama: Ishte planifikuar që në 2017-ën