Flash News

KRYESORE

Të hënën referendumi, kurdët do mbrojnë shtetin e ri nga Erdogani me armët e Edi Ramës

Të hënën referendumi, kurdët do mbrojnë shtetin e ri

Të hënën e 25 shtatorit, kurdët në rajonin autonom në Irak do t’i drejtohen kutive të referendumit për të vendosur nëse duan apo jo të krijojnë shtetin e tyre të pavarur.

Aleancën për kundërshtimin e pavarësisë së Kurdistanit është duke e udhëhequr Turqia dhe jo Iraku, vendi i cili rrezikon të humbasë një territor të konsiderueshëm. Këshilli i Sigurisë së Turqisë është mbledhur së fundmi, ndërkohë presidenti Rexhep Taip Erdogan ka paralajmëruar përgjigje të ashpër ndaj kurdëve që kërkojnë pavarësi nga Bagdadi.

Krijimi i Kurdistanit ka detyruar Ankaranë të afrohet me një prej rivalëve më të mëdhenj në rajon, Iranin, ndërkohë pritet një koalicion i përbashkët me Irakun për të kundërshtuar në terren krijimin e shtetit e ri.

Kurdët në anën tjetër nuk kanë pranuar të tërhiqen nga referendumi, ndërsa kanë paralajmëruar se do të mbrojnë me çdo çmim aspiratën për pavarësi.

Në këtë situatë, një luftë e re në Irak duket e pashmangshme.

Shtetet fqinje dhe ato në mbarë botën kanë nisur të pozicionohen lidhur me pavarësinë e Kurdistanit. Izraeli është është shteti i parë që i ka dhënë mbështetje kurdëve, ndërkohë edhe Rusia po ecën në këtë drejtim.

Sa i përket Uashingtonit, fillimisht ‘Shtëpia e Bardhë’ nuk kishte një qëndrim të fortë kundër shtetit të ri, por së fundmi presidenti Donald Trump ka kundërshtuar një projekt të tillë. Njësoj kanë vepruar Bashkimi Europian, Irani dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, nuk ka reaguar ende për referendumin që do të organizohet pas dy ditësh. Aleanca e ngushtë me Turqinë të shtyn të mendosh se Tirana nuk do e mbështesë iniciativën e kurdëve, ndonëse në vitin 2014-të i furnizoi me armë në luftën kundër ISIS, raporton Politiko.al.

Tashmë që lufta duket e afërt, Shqipëria nuk është tërësisht jashtë këtij konflikti, pasi kurdët do të përdorin pikërisht këto armë të dërguara nga Shqipëria dhe vendet e tjera Perëndimore, tani jo për të luftuar ISIS-in, por për të mbrojtur ëndrrën e tyre shekullore.

Duhet thënë se pavarësisht konfirmimit nga Pentagoni dhe mediat amerikane si CNN, se armët e Shqipërisë janë dërguar për kurdët, qeveria shqiptare dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, janë kujdesur gjithnjë të theksojnë se armët janë dërguar në emër të qeverisë së Irakut.

Ndihmat e Shqipërisë për kurdët:

  • Fishekë 7.62 mm, model 56 copë 22.000.000
  • Granata dore mbrojtëse copë 15.000
  • Predha mortaje 60 mm copë 15.000
  • Predha mortaje 82 mm copë 12.000
  • Predha mortaje 120 mm copë 5.000

Të fundit