Flash News

OP-ED

Te kërcënimi me sms i Ramës, për Metën dhe Bashën, gjendet zgjidhja e krizës

Te kërcënimi me sms i Ramës, për Metën dhe Bashën,

Fitim Zekthi

Disa ditë më parë presidenti Ilir Meta publikoi një mesazh të dërguar atij nga kryeministri kohë parë. Në atë mesazh kryeministri i shkruante presidentit se kur ai të largohej nga presidenca nuk do të gjente më gjurmë të partisë (LSI), dhe se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk do të ishte më kryetar i Partisë Demokratike pas zgjedhjeve lokale.

Duke qenë se Shqipëria ia ka arritur ditës kur mund të prodhohen skandale, të kryhen krime, të zbulohen maskarada, të ngrihen akuza apo bëhen sulme  aq të mëdha, aq të pamendueshme  dhe aq të shumta, sa mund të relativizojë apo të lërë në heshtje çdo gjë, atëherë edhe ky skandal i publikuar nga presidneti Meta u shua, ose u la të vdesë.

Shqipëria ka lënë të vdesin skandale si ai i akuzës zyrtare për përfshirje në trafik droge, për krijim grupesh kriminale ndaj ish ministrit të Brendshëm Tahiri; Shqipëria ka lënë të vdesin skandale si ai i përfshirjes në blerje votash të ministrave në bashkëpunim me krimin, të publikuar nga gazeta Bild; Shqipëria ka lënë të vdesin skandale si përgjimet për Dakon, vjedhja tek unaza e re, dyshimet për vjedhje me koncesionet etj.

Shqipëria arrin, ose ka mundësinë të prodhojë përditë një skandal, ka mundësinë që përditë të kryhet një krim i madh politik i ministrave dhe i qeverisë dhe në këtë mënyrë një skandal i mbivendoset një tjetri. Kur ndodh që një i tillë nuk mbulon skandalin e mëparshëm, atëherë kujdeset kryeministri i cili mund të sajojë një spektakël me veshjet, me atletet, me tutat ose me sulmet ndaj opozitës.

Shqipëria nuk e arriti këtë gjendje në mënyrë spontane, të vetvetishme. Për këtë gjendje është punuar me një ngulm të rrallë këto 6 vite. Qeveria shqiptare ka aktivitetin më të dendur në botë në fushën e propagandës, e cila ka arritur të gërshetojë dy gjëra: shpalljen si normale të çdo krimi, çdo hataje, çdo abuzimi apo çdo skandali që bën qeveria dhe sulmet kundër opozitës.  Sulme të tilla ndaj opozitës nuk janë bërë dhe nuk bëhen as nga qeveritë më brutale, më kriminale  dhe më autoritariste, as në Zimbabve dhe as në Gambia dhe, sigurisht, që nuk bëhet fjalë për sulme të tilla në vendet demokratike.

Kjo lloj propagande ka arritur t’i bëjë disa njerëz të fajësojnë Lulzim Bashën për mënyrën se si këndon himnin kombëtar, se sa kryeministrin që ka mbrojtur me forcë kryebashkiakë si Roshi apo ministra Tahiri, që është përgjegjës për mbjelljn e vendit me hashash, për mjerimin etj. Kjo lloj propagande ka arritur t’i bëjë disa njerëz që, më shumë të fajësojnë Lulzim Bashën, t’i kërkojnë atij edhe ‘Basha ik’, për shkak se nuk ka ndalur korrupsionin e qeverisë dhe kriminalizimin e saj, nuk ka ndalur ikjen massive të njerëzve apo se është “nihilist, nuk pranon asnjë arritje të qeverisë, mbron medemek ish ministra të korruptuar, pengon intergrimin në BE, (saboton tha Rama vetë), se sa të fajësojnë Ramën për mos hapjen e negociatave, për  papunësinë etj.

Kjo lloj propagande dhe kjo gjendje e krijuar kanë përmbysur edhe kuptimin e njerëzve dhe të shoqërisë për punën e institucioneve, dhe sidoms të institucioneve të pavarura, sidomso të prokurorisë dhe të gjykatave që, si rregull konsiderohen “streha e fundit e të gjithëve”.

Prokurorja e Përgjithshme, për shembull, ngre grupe hetimore për të hetuar se kush do të pengojë zgjedhjet, cilët njerëz të opozitës do të përfshihen në një proces të mundshëm pengimi me thyerje kutish apo me pengime të tjera të votuesve. Prokurorja e Përgjitshme, as që e ka menduar ndonjëherë se duhet të shkojë në KQZ dhe të marrë të sekuestrojë prova materiale, kuti me procesverbale dhe të hetojë se si u mbushën kutitë, kush i mbushi dhe kush urdhëroi. Para syve të të gjithëve u pa kjo maskaradë me mbushje kutish dhe trukim të rezultatit të pjesëmarrjes. Sikur vetëm kaq të hetonte prokuroria ajo do të zgjidhte krizën politike të vendit.

Prokuroria, si rregull, do të bënte bashkëpunëtor të drejtësisë komisionerët e qendrave të votimit dhe të KZAZ-ve, dhe më pas do të shkonte tek urdhëruesit që, me siguri, janë Rama, ministrat, Veliaj etj. Por jo, prokuroria për shkak të atmosferës së  rëndë të krijuar nga krijimi i skandaleve dhe mos hetimi i tyre, për shkak të atmosferës së rëndë të propagandës, as që vihet fare para ndonjë përgjegjësie për këto veprime të habitshme.

E njëjta gjë, edhe me ngritjen e një grupi hetimor nga prokuroria për hetimin e “lobimit rus të PD-së”. Prokuria ka ngritur grup pune me dy prokurorë për dosjen e Dibrës, prokuroria ka ngritur grup pune me dy prokurorë për ‘çështjen Tahiri’ dhe prokuroria ka ngritur grup pune me tre prokurorë për një çështje idiote, për një sajesë të saj dhe Ramës si “lobimi rus i PD-së”. Pra tre prokurorë për të hetuar Bashën dhe dy prokurorë për Dibrën dhe Dakon dhe dy prokurorë për Tahirin i cili ka një akuzë për trafik ndërkombëtar droge, grup i strukturuar kriminal etj. Për çështjen e vrasjes së deputetit Azem Hajdari, në vitin 1998, prokuroria ka ngritur grup pune me dy prokurorë, ku njëri asistonte një prokuror norvegjez që u kontraktua në atë kohë. Pra, merre me mend çfarë turpi. Tre prokurorë për të hetuar Bashën, kryetarin e opozitës dhe kjo duket si normale, sepse Rama ia ka rritur ta bëjë Shqipërinë një vend të tillë ku gjëra të tilla të duken normale.

Le të kthehemi tek ajo që tha presidenti Meta për mesazhin e dërguar nga Rama. Ai mesazh është në çdo aspekt një shantazh. Ai mesazh është një vepër penale e pastër. Kryeministri Rama i shkruan se kur të ikë nga presidenca, Meta nuk do të gjejë më gjurmë të LSI-së. Rama i dërgon mesazh Metës sepse kërkon që t’i ndikojë vendimarrjen, sepse kërkon që të vërë në pozitën e të qenit i sulmuar, i kërcënuar, kërkon ta dobësojë, kërkon ta bëjë atë një indvid që t’i marrë vendimet duke e ditur se një ditë nuk do të ketë më parti politike ku të shkojë. Mesazhi i thotë se, edhe kryetari i opozitës nuk do të jetë më në atë detyrë pas zgjedhjeve lokale. Pra Meta duhet t’i bëjë llogaritë, duhet t’i marrë vendimet duke ditur dy gjëra: nuk do të ketë LSI dhe nuk do të jetë Basha në krye të PD-së, por ndoshta dikush që e sulmon apo nuk e duron dot Metën.

Nga ana tjetër ai mesazh është edhe shantazh ndaj kryetarit të PD-së. Rama e di që presidenti do ia përcjellë, e ka për detyrë t’ia përcjellë (dhe ta mbrojë si kreu i shtetit dhe përfaqësues i uniteteit që është) kryetarit të opozitës kërcënimet që i bëhen nga qeveria dhe kryeministri. Pra Rama kërcënon me largim nga detyra kryetarin e opozitës dhe këtë e bën për çfarë? E bën që ai të ndryshojë veprim politik, që ai të ndryshojë sjellje politike. Kjo është padyshim vepër penale.

Atëherë pse Prokurorja e Përgjitshme nuk nis një hetim. A mund të ketë skandal më të rëndë politik për një vend se shantazhi nga qeveria ndaj presidentit të vendit dhe kryetarit të opozitës? Vetëm një hetim i këtij mesazhi do ta zgjidhte krizën politike në vend. Hetimi i këtij mesazhi është çështje orësh dhe brenda pak ditësh formulohej akuza dhe dërgohej çështja në gjykatë. Aty gjithçka është e dukshme dhe nuk ka nevojë për asgjë. Nqs prokuroria vërteton se Rama ia ka dërguar atë mesazh Metës, nuk mund të ekzistojë gjyqtar në botë që nuk e shpall fajtor për shantazh kryeministrin. Kaq, dhe mbaron gjithë kriza politike.

Të fundit