Flash News

KRYESORE

Të lidhur me bosin e rrjetit të fuqishëm të drogës në Turqi, kush janë terroristët që do të kryenin sulm terrorist në Shqipëri

Të lidhur me bosin e rrjetit të fuqishëm të drogës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë për mediat informoi se si ishte parandaluar një sulm terrorist në Shqipëri, në mars të 2018-ës nga një celulë e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane.

Sipas Veliut, ky rrjet terrorist, i drejtuar nga regjimi iranian i zbuluar në Shqipëri, kishte si synim të kryente sulm ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK).

Në deklaratë, Veliu sqaroi se celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Një nga këta operativë është Alireza NAGHASHZADEH, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake. Naghashzadeh u dërgua nga PEYMAN-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua.

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh MALEK ZADEH, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. MALEK ZADEH (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam TURGUT, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS. TURGUT, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge.

TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. TURGUT është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, TURGUT është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i ka lejuar autoriteteve shqiptare që të parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit Iranian.

Sipas policisë, forcat QUDS drejtohen nga Qassem SOLEIMANI, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban.

Celula terroriste i përkiste, siç u përmend, njësisë së operacioneve  të  jashtme  të  Forcave  QUDS,  një  njësi operacionale  e  konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit. Brenda kësaj njësie, ka një nënnjësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit. Modus Operandi i njësisë përfshin menaxhimin nga distanca të forcave të treta (proxy), zakonisht kriminelë dhe anëtarë të mafies me të kaluar të ndryshme, në mënyrë që të mbulohet përfshirja e Iranit në terrorizëm. Duke përdorur këtë Modus Operandi, MOIS (Ministry of Intelligence and Security – Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë) të Iranit ka vrarë të paktën 4 opozitarë të regjimit në Holandë, Gjermani dhe Turqi dhe ka organizuar sulme të pasuksesshme, sikurse ishte sulmi i fundit i mbetur në tentativë kundër konferencës së MEK-ut në Paris, në Qershor 2018.

Gjeneralitete:

  1. PEYMAN – Nuk jepen të dhëna të tjera.
  2. Abdolkhalegh MALEK ZADEH, i datëlindjes 21 Prill 1979. Njihet si “Ferhat”.
  3. Erëin ARAM, i datëlindjes 13 Korrik 1974. Njihet si “Alireza NAGHASHZADEH”.
  4. Abdulselam TURGUT, i datëlindjes 27 Maj 1967.

Të fundit