Flash News

OP-ED

Të mërkurën dikush vrau, politikisht, Fatmir Xhafën 

Të mërkurën dikush vrau, politikisht, Fatmir Xhafën 

Gentian Gaba

Një ndëshkim duhet të jetë përherë i barabartë me krimin. Por politika nuk mjaftohet vetëm me kaq. Lipset që të jetë i dukshëm, pasi dënimi nuk është vetëm një akt ndëshkimi, por edhe një sinjal. Duhet të shihet dhe të kuptohet nga gjithë; edhe nga ata që mund të kenë flirtuar me idenë e kryerjes së të njëjtit mëkat. Një sinjal se askush nuk është i përjashtuar nga pasojat e tradhtisë.

Në thelb, nën regjistrin ndëshkim & sinjal, mund të shënohet edhe rasti i emisionit “Top Story”, i transmetuar në Top Channel ditën e mërkurë. 54 minuta në “prime time” gjatë të cilave Fatmir Xhafës, ish-ministër i Brendshëm, i’u bë 'autopsia' e karrierës politike. Një karrierë e gjatë, me rrënjë në regjimin komunist dhe shtat të fortë në sistemin aktual.

Një karrierë që po shkonte mbroth; një karrierë që nuk u pre në momentet e dobësive politike të Fatmir Xhafës, të cilat nuk kanë qenë të pakta, por kur forca e tij, nga zyra e Ministrit të Brendshëm, rrezikoi pushtetin e vetë Kryeministrit.

Kjo erdhi më shumë se një muaj pas “dorëheqjes” së Xhafës, televizioni kombëtar, tashmë i paqtuar me Kryeministrin pas xanxës së vitit të shkuar, zgjodhi të kryejë, me fakte dhe prova, një “shërbim publik” të vonuar. Ia nxjerr të gjitha, të reja e të vjetra. Vëllezërit, dhëndrin, kunatin, bashkëpunëtorët (në biznes e politikë), financat, pallatet, burgjet, klanet, ambiciet dhe betejat.

Një 'autopsi' që shtyn vetiu në dy pyetje:

E para është “cui prodest” (Kujt i shërben)?

Nëse i mbajmë hipotezat në minimum, sikurse sugjeron edhe “tehu i Ockham”, duhet të anojmë nga përgjigja më e thjeshtë, si vetë natyra e thjeshtë dhe primitive e luftës për pushtet që po ndodh në oborrin e Partisë Socialiste.

Të mërkurën Xhafaj u “vra” politikisht, pasi ajo çka emisioni rrëfente nuk ishte gjë tjetër veçse një pretencë, mbushur me gjynahe të rënda, e ngritur nga armiqtë e tij brenda PS-së. Një karikator që pret të zbrazet në rast se Xhafaj, me sensin e tij të rafinuar për pushtetin, pas rasteve Nano, Majko etj. çon deri në fund komplotin kundër Ramës.

Njëkohësisht, duke ekspozuar në mënyrë të qartë gjithë rrjetën e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, goditja zhurmëmadhe shërben si shembull i betejës të humbur për të gjithë ata, që bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, guxuan të flirtonin me idenë e marrjes së pushtetit nga duart e kreut të Partisë Socialiste.

Pyetja e dytë është pse tani?

Goditja, një muaj pas ikjes, nuk shënon vetëm përshkallëzimin e përballjes midis “sallaksave”, por gjithashtu dëshmon se Xhafaj nuk ka “shkuar i heshtur në gjirin e natës së tij politike”. Pushteti që ai gëzonte si Ministër, nuk zhbëhej vetëm me largimin e tij nga zyra, pasi nga ato pozita ka pasur mundësi të krijonte, sikurse dhe duhet të ketë krijuar, një arsenal të mirë për t’u shpenzuar në betejën e brendshme. Kësodore, rreshtimi i tij në krah të Erion Veliaj, vrik pas largimit, e bëri atë një kundërshtar të hapur dhe të frikshëm që duhej ndalur sa më parë.

Sot Xhafaj “prehet” politikisht në krah të Tahirit. Një barazim në të cilin secila nga palët, ka lënë në fushë një të ‘rënë” që vinte nga posti i “mallkuar” i Ministrit të Brendshëm. Sidoqoftë ekuilibri nuk mund të vijojë gjatë, sidomos me zgjedhjet që po afrojnë. Pyetja që tani ngrihet është se çfarë ngjyre do të ketë viktima politike e radhës, rozë apo mavi?

Në bazë të asaj që të gjithë ndoqën në Top Channel, një vorbull korrupsioni dhe klientelizmi që çorri maskën e një politikani që na kanë shitur si “profet” i ndërkombëtarëve, spektakli premton të jetë shumë joshës. Sidomos për ata prokurorë që do të kenë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

Nga dje, “hëngshin kokat e tyre”, nuk tingëllon dhe aq keq!

 

Të fundit