Flash News

KRYESORE

“Të ndihmojmë atë që vuan”, Meta shpërndan mesazhin e Papa Françeskut: Fjalë që japin kurajo

“Të ndihmojmë atë që vuan”, Meta shpërndan

Presidenti i Republikës Ilir Meta shpërndau një mesazh të Papa Franeskut në “Javën e Pashkës”. Në komentin shoqërues, që Presidenti bën mesazhit të kreut të Vatikanit, uron shqiptarët për shëndet, ndërsa të sëmurët nga koronavirusi u uron shërim të shpejtë. “Duke uruar shëndet të plotë për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, dhe shërim të shpejtë për të prekurit, po ndaj me ju këto mesazhe të paqta e shpresëdhënëse të Papa Françeskut, të dhëna sot gjatë Meshës së të Dielës së Larit në prag të fillimit të Javës së Madhe të Pashkëve, që na frymëzojnë, na japin forcë e kurajo për të kaluar këto momente tepër të vështira”, shkruan Meta.

Ndërkohë, në mesazhin e Papa Françeskut, që Meta ka shkëputur, është një pjesë ku kreu i Kishës Katolike apelon për më shumë kujdes për jetën, për t`i dhënë kuptim asaj dhe për të shtuar solidaritetin ndaj atyre që janë në nevojë apo vuajnë.

"Drama, që po jetojmë, na nxit ta marrim seriozisht çka është serioze e të mos merremi me gjëra që vlejnë pak e aspak; të zbulojmë se jeta nuk shërben, nëse nuk shërbehet. Sepse jeta matet me masën e dashurisë. Të përpiqemi ta ndihmojmë atë që vuan; që është i vetmuar, që ka nevojë. Mos të mendojmë vetëm për çka na mungon, por për të mirën, që mund të bëjmë. Natyrisht të duash, të lutesh, të falësh, të kujdesesh për të tjerët, në familje a në shoqëri, mund të kushtojë shtrenjt. Mund të duket udhë kryqi. Po udha e shërbimit është udhë fitimtare, udhë që na shpëtoi, që na e shpëton jetën", - na porosit të gjithëve Papa Françesku.

 

Të fundit