Flash News

KRYESORE

Të rinjtë e Partive Popullore Europiane reagojnë për arrestimin e kryetarit të FRPD dhe artistëve: Dënojmë ashpër politikën shtypëse të qeverisë

EDS (Forumi Studentor i Partisë Popullore Europiane) ka reaguar ashpër për arrestimin e Belind Këlliçit, kryetarit të FRPD, dhe dhjetëra artistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Presidenti i EDS, z. Carlo Angrisano, në një reagim të fortë publik tha se komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta lejojë këtë akt të ndodhë në zemër të Europës. Në reagimin e tij, Angrisano shton:

Belind Këlliçi dhe artistët u arrestuan brutalisht për shkak të pikëpamjeve të tyre politike kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, një trashëgimi e veçantë arkitekturore që u shkatërrua prej regjimit socialist. Teatri tani u shemb. Së bashku me të, edhe një pjesë e madhe e historisë shqiptare dhe europiane.”

Po ashtu, Tilman Kuban, kryetar i Junge Union (Forumi Rinor i kristian demokratëve të CDU në Gjermani) ka reaguar mbi shembjen e Teatrit Kombëtar dhe arrestimet që janë bërë nga autoritetet shqiptare.

Në reagimin e tij, Kuban shprehet se:

“Belind Këlliçi u arrestua për shkak se protestoi kundër regjimit socialist në Shqipëri.”

Kryetari i të rinjve të CDU shtoi gjithashtu se “ne qëndrojmë përkrah vlerave të demokracisë dhe lirisë dhe iu bëjmë thirrje autoriteteve të lirojnë gjithë aktivistët e shoqërisë civile.”

“Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, bashkë me sjelljen brutale të policisë gjatë kësaj krize pandemie, është një akt dhune që shkon përtej vlerave të lirisë dhe demokracisë, me të cilat ne si shoqëri europiane krenohemi. Ky akt i papritur dhune nga autoritetet shqiptare, i vendos njerëzit përballë rrezikut të COVID-19 dhe, nëse kjo pasohet nga një shpërthim masiv i virusit, do të jetë përgjegjësi e autoriteteve.

Për gati dy vite e gjysëm, aktivistët kanë bërë qëndresë për të ndaluar socialistët ta shembin këtë monument me vlera historike për Shqipërinë dhe Europën. Çështja e Teatrit Kombëtar duhej zgjidhur nëpërmjet dialogut dhe jo nëpërmjet vetë-vendimmarjes, njësoj siç propozoi edhe Komisionerja e BE për Kulturën, znj. Mariya Gabriel. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve politikë nga sundimi i Edi Ramës dhe, në emër të gjithë partnerëve, dënojmë ashpër këtë politikë shtypëse”, thuhet ne reagimet.

Dy organizatat më sipër YEPP dhe EDS janë organizatat rinore zyrtare të EPP dhe Junge Union është forumi rinor i CDU.

 

Të fundit