Flash News

KRYESORE

‘Të vrasin natën e të qajnë ditën’, Bardhi sulmon qeverinë: Përtej kartelit të tyre, askush në këtë vend nuk ndjehet i sigurt

Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, përmes një postimi në Facebook kujton se kanë kaluar tre muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, me theksin se ende nuk janë vënë para përgjegjësisë shkaktarët e viktimave.

Në Facebook, Bardhi akuzon qeverinë për korrupsion dhe kriminalitet, duke argumentuar se qytetarët nuk duheshin lejuar të kthehen në banesat e dëmtuara që nga tërmeti i 21 Shtatorit.

‘Jo vetëm i lanë, por i garantuan që s’ka asnjë problem’, shkruan Bardhi.

Bardhi kujton se sot me qindra qytetarë ndodhen në çadra dhe ekonomia është në gjëndjen e saj më të keqe.

Për Bardhin, përtej kartelit në Qeveri, askush në këtë vend nuk ndihet sot i sigurt për ekonominë apo jetën e tij.

“ Të vrasin natën e të qajnë ditën!

Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit, ende nuk janë vënë para përgjegjësisë vrasësit e vërtetë të të paktën 26 viktimave. Ata i vrau qeverisja e korruptuar dhe e kriminalizuar. Ata qytetarë nuk duheshin lejuar të kthehen në banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit.

Sot, me të njëjtën gjakftohtësi, ky pushtet po përgatit vrasjen e rradhës. Me dhjetra familje të mbetura në mes të katër rrugëve, pa ndihmë, pa bonus qeraje janë detyruar të rikthehen në shtëpitë e dëmtuara rëndë, të cilat nuk do të mund t’i rezistojnë dot një lëkundjeje të fortë të tokës.

Me qindra qytetarë janë sot nëpër çadra, pa drita, pa ngrohje, të braktisur. Kjo sepse Qeveria më e korruptuar e Europës nuk i prek lekët që bashkëndan me oligarkët, nuk alokon fondet për të nisur rindërtimin, sepse po bën procedurat e rradhës për tenderat korruptivë që do të mbushin xhepat e zyrtarëve edhe kësaj rradhe.

Korrupsioni po gërryen ekonominë, mijëra biznese mbyllen, investitorët e huaj nuk e shohin vendin tonë si të përshtatshëm për investime, për shkak të korrupsionit, siç e kanë thënë të gjitha raportet deri më tani dhe siç e thonë përditë sipërmarrësit. Shqipëria është kthyer në lavatriçe të parave të pista të krimit që, në partneritet me Taulantët&co, i pastron në ndërtim duke marrë pronën e qytetarëve.

Përtej kartelit në Qeveri, askush në këtë vend nuk ndihet sot i sigurt për ekonominë apo jetën e tij. Propaganda është thjesht vetëkënaqësia e rilindjes së krimit dhe korrupsionit”, shkruan ndër të tjera Bardhi.

Të fundit