Flash News

KRYESORE

Telegrami i vitit ’91: Vocërrakët do të fillojë grevën e urisë nëse nuk vendoset monumenti i Enver Hoxhës

Studiuesi, Kastriot Dervishi, ka publikuar një telegram i dërguar nga Përmeti në vitin 1991 për Kuvendin Popullor.

“Si rrallë herë, për të përligjur qëllimet e drejtuesve të këtyre tubimeve, si argument janë përdorur edhe fëmijët. E sigurisht, ata nuk e kuptonin se figura e diktatorit dhe demokracia janë gjëra të ndryshme që nuk shkojnë me njëra-tjetrën”, shkruan Dervishi në rrjetin social Facebook.

Postimi i plotë i Kastriot Dervishit

1991/Telegramet enveriste

Telegrami i mëposhtëm i enveristëve, është nisur nga Përmeti. Si rrallë herë, për të përligjur qëllimet e drejtuesve të këtyre tubimeve, si argument janë përdorur edhe fëmijët. E sigurisht, ata nuk e kuptonin se figura e diktatorit dhe demokracia janë gjëra të ndryshme që nuk shkojnë me njëra-tjetrën.

***

Presidiumit të Kuvendit Popullor

Telegram

Drejtuar gjithë popullit të rretheve të republikës

Në mitingun që vazhdoi prej 4 orësh, populli i Rrethit të Përmetit kërkon me insistim:

Populli i Rrethit të Përmetit i indinjuar nga aktet vandaliste që ndodhën në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Korçës po manifeston në një miting proteste ndjenjat e tij për emrin dhe veprën e Enver Hoxhës. Nga ky miting madhështor dhe spontan e rrëqethës, i filluar nga kooperativistët e Kosinës ku me pleq, të rinj dhe fëmijë brohorasin për Partinë e Punës dhe Enver Hoxhën, që e lindi atë, ju bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve të ndershëm të ngrihen në këmbë dhe të venë në vend nderin dhe dinjitetin e Enver Hoxhës, mbasi nderi dhe dinjiteti i tij është nderi dhe dinjiteti i kombit shqiptar.

Ju njoftojmë se vocërrakët e shkollës 8-vjeçare që mban emrin e heroit të popullit “Meleq Gostinishti” do të fillojë grevën e urisë në qoftë se nuk vendoset në vend monumenti i Enver Hoxhës në mes të kryeqytetit. Këtë propozim e mbështeti i madh e i vogël me duartrokitjet e tij të fuqishme.

Ne përmetarët jemi gati të mbrojmë me gjokset dhe gjakun tonë gjithçka që kemi ndërtuar nën udhëheqjen e Enver Hoxhës.

Populli i Përmetit

21.2.1991

Të fundit