Flash News

KRYESORE

Temperatura 40 gradë, në Pogradec nis asfaltimi i Unazës së qytetit. Shalsi promovon rrugën pa standarte

Prej mëse një muaji deputeti i ri i Pogradecit (Qarkut të Korcës), Eduart Shalsi ka marrë rolin e protagonistit në gjithë punët publike të qytetit. Takimet me banorët, “qarja e hallit”, ndjekja e punime të rrugëve (investime të Bashkisë) janë prioritet i tij. Edhe kësaj here ai ka njoftuar se “filloi të asfaltohet Unaza e Pogradecit”. Ja postimi i Shalsit: “Filloi të asfaltohet Unaza e Pogradecit.Kur iu komunikuam pogradecarëve fillimin e punimeve të unazës, shumëkush në qytet ishte dyshues dhe jo pa të drejtë, për dy arsye: e para, sepse ishte premtuar shumë herë duke u shoqëruar me ndërhyrje sipërfaqësore dhe e dyta, se duke përkuar me fushatën elektorale nuk ishte hera e parë që makineritë shfaqeshin në pragfushate dhe më tej largoheshin. Ja ku jemi: pas muajsh pune intensive sot filloi asfaltimi !”-shkruan Shalsi në facebook.

Por, hidhini një sy fotove. A ju duket normale kjo rrugë? Në temperatura 40 gradë, nis asfaltimi. Siç shikohet qartë, nuk ka asnjë kanal anash për të kulluar ujërat, nuk ka aspak hapësira (nuk bëhet fjalë për trotuare) për të kaluar banorët, apo kafshët, pasi ajo pjesë që po asfaltohet është zonë rurale. Nuk ka as gjerësinë e premtuar. Ka shumë  të ngjarë që ajo nesër të jetë burim aksidentesh, pasi do të ketë një fluks të madh makinash, pasi do të anashkalohet kalimi në qytetin e Pogradecit dhe rruga drejt Korçës do kalojë nga Unaza. Pse gjithë ky nxitim? Afati i premtuar për ndërtimin e Unazës është nga viti tjetër.  

Të fundit