Flash News

KRYESORE

Tension në Mitrovicë, plagosen në aksion dy efektivë policie

Tension në Mitrovicë, plagosen në aksion dy efektivë policie

Dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur gjatë një aksioni në Veri dhe Jug të Mitrovicës.

Policia ka konfirmuar se si pasojë e rezistencës nga ana e serbëve në Zubin Potok dy efektivë u plagosën, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Njëri u plagos në dorë dhe tjetri në pjesën e kofshës në këmbë.  Aktualisht, situata është e qetë, por ka prezencë të shtuar të numrit të policëve.

Aksioni ka nisur prej orëve të para të mëngjesit për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.

Reagon Haradinaj

Menjëherë pas ngjarjes ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai u bën thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin.

“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.

Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës.

Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.

Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, reagon Haradinaj.

Të fundit