Flash News

KRYESORE

Tentoi të kalonte kufirin me pasaportë të falsifikuar, arrestohet 28-vjeçari indian; procedim penal edhe për një polak

Tentoi të kalonte kufirin me pasaportë të falsifikuar, arrestohet

Një shtetas indian ka rënë në prangat e policisë pasi tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë të falsifikuar. Mësohet se, 28 vjeçari me inicialet S.E. është arrestuar në pikën kufitare të Qafë Thanës, pasi paraqiti një pasaportë të cilën e kishte vjedhur nga një tjetër shtetas indian.

Po ashtu, në pikën kufitare të Qafë Thanës është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një shtetas polak. Gjatë kontrollit në kufi, 52-vjeçarit iu gjet një armë gjahu tip pushkë (pneumatike) pa lejen përkatëse.

Njoftimi i plotë:

Qafë Thanë

Policia Kufitare, masa të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vihet në pranga 1 shtetas indian, pasi tentoi të dilte nga Shqipëria me pasaportë të dyshuar si të falsifikuar.

Procedohet penalisht edhe 1 shtetas polak të cilit iu gjet në mjet, 1 armë gjuetie pa lejen përkatëse.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në drejtim të falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, kalimit të paligjshëm të kufirit apo armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë goditur dy raste të paligjshmërisë, konkretisht:

Gjatë verifikimit të dokumentacionit të shtetasit indian S. E., 28 vjeç, rezultoi se ky shtetas ishte paraqitur me një pasaportë të dyshuar si të falsifikuar, e cila i ishte vjedhur një shtetasi tjetër indian.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip "Toyota" të shtetasit polak M. M., 52 vjeç, iu gjet një armë gjahu tip pushkë (pneumatike) pa lejen përkatëse, e cila iu bllokua në cilësinë e provës materiale.

Veprimet e mëtejshme proceduriale në lidhje me këto raste, u kryen nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. E., si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit M. M.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.

Të fundit