Flash News

KRYESORE

Tërmeti i 26 nëntorit/ Prokuroria e Tiranës jep detajet: Hetimet vazhdojnë

Tërmeti i 26 nëntorit/ Prokuroria e Tiranës jep detajet: Hetimet

Prokuroria e Tiranës informoi se ka firmosur 41 urdhër-arreste për abuzimet me ndërtimet pas tërmetit të 26 nëntorit në vend, ndërkohë që deri më tani janë ekzekutuar 31 urdhër-ndalime. Ndërkohë që 10 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, e gjashtë prej tyre dyshohet se janë larguar nga vendi.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, informoi se hetimet nuk mbyllen me kaq, por do të vazhdojnë, e do të shqyrtohen me imtësi edhe banesat e konstatuara të pabanueshme.

“Kemi arritur të evidentojmë disa ndërtesa dhe banesa që janë shpallur të pabanueshme. Duke marrë në konsideratë elementët teknikë të nevojshëm për t’u hetuar, në rastin konkret është arritur në konkluzionin që pas ekspertimeve përkatëse janë identifikuar autorët”, tha Imeraj.

Kurse prokurori i çështjes, Erjon Imeri tha se janë gjetur një sërë shkeljesh nga ana e ndërtuesve dhe zbatuesve të projekteve ndërtuese.

“Funksionarë të ish komunave kanë miratuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të theksuar dokumentacioni teknik dhe ligjor. Në disa dosje mungojnë oponenca teknike”, u shpreh ai.

Të ndaluarit akuzohen për “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”, e do të dalin të enjten para gjykatës, për të marrë masën e sigurisë.

Ndërkohë hetimet vazhdojnë edhe për objekte të tjera, të cilat janë shpallur të pabanueshme në të gjithë Tiranën. Në kryeqytet janë 25 institucione, 134 pallate dhe rreth 200 objekte të dëmtuara, për të cilat po hetohet.

Të fundit