Flash News

KRYESORE

Tërmeti në Durrës e Tiranë/ Voltana Ademi lë mënjanë ‘inatet politike’: Në dispozicion, kapacitetet dhe shtëpitë tona

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e njohur për përplasjet me qeverinë aktuale dhe kryeministrin Edi Rama, duket se ka lënë mënjanë ‘inatet politike’ dhe është solidarizuar, duke iu bashkuar instancave shtetërore për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti, kryesisht në  Tiranë e Durrës.

Në një status në rrjetet sociale, Ademi shkruan se Shkodra vë në dispozicion kapacitetet njerëzore dhe teknike të Emergjencave Civile, kapacitetet e saj akomoduese dhe transportuese nga Tirana e Durrësi drejt Shkodrës dhe strehimin e tyre në banesat e qytetarëve shkodranë.

“Bashkia e Shkodrës po ndjek me vëmendjen e duhur situatën e krijuar nga termetet e njëpasnjëshme në zonën e Tiranës dhe të Durrësit. Shprehim solidaritetin me të gjithë qytetarët, të cilët sot kanë nevojë më shumë se asnjëherë të ndjehen të rrethuar me mbështetje të gjithanshme.

Bashkia e Shkodrës vë në dispozicion të familjeve që nuk kanë mundësi të banojnë në shtëpitë e tyre për shkak të dëmtimit apo të panikut, kapacitetet e saj akomoduese dhe transportuese nga Tirana e Durrësi drejt Shkodrës.

Njëkohësisht, kapacitetet tona njerëzore dhe teknike të Emergjencave Civile, do të jenë në dispozicion në çdo kohë nëse do të jetë e nevojshme apo do të na kërkohet.

Në këto momente të vështira, banorët e Bashkisë Shkodër janë pranë atyre të Tiranës, Durrësit dhe më gjërë, të gatshëm për të ofruar strehim edhe në shtëpitë e tyre, nëse do të jetë e nevojshme”, shkruan Bashkia Shkodër.

Të fundit