Flash News

KRYESORE

Tërmeti që ‘tundi’ qeverinë/ Hyn në fuqi ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave, sa do të paguhet

Tërmeti që ‘tundi’ qeverinë/ Hyn në fuqi ligji

Pa u bërë as 10 ditë nga tërmeti i fuqishëm që tronditi Shqipërinë, Kryeministri Edi Rama pat njoftuar se Qeveria kishte marrë vendim që ndërtuesit duhet t’i pajisin blerësit e apartamenteve me një sigurim të detyrueshëm 10-vjeçar.

Ky vendim ishte parashikuar 5 vite më parë nga ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” ( Nr. 107/2014, datë 31/07/2014). Por është dashur një tërmet me magnitudë 5.8 ballë që ta vinte në veprim këtë ligj.

Revista Monitor ka publikuar një shkrim ku bën të ditur se si do të funksionojë ky ligj.

Sipas VKM-së së miratuar në mbledhjen e datës 2 tetor të Këshillit të Ministrave, “ndërtuesi, përpara dorëzimit të lejes së ndërtimit, duhet të kryejë dhe të dorëzojë kontratën e sigurimit të detyrueshëm për mbulimin e përgjegjësive civile dhe profesionale që rrjedhin nga gabime dhe neglizhenca që çojnë në mosrespektimin e legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit në fuqi, në zbatim të nenit 47, pika 2, të Ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.

Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës, ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda. Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.

Vendimi i qeverisë rregullon edhe tarifën vjetore të primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. Pra, për një banesë që kushton 100 mijë euro, primi i sigurimit nuk mund të jetë më pak se 100 euro, duke vendosur në këtë mënyrë një çmim dysheme poshtë të cilit kompanitë e sigurimit nuk mund të ofrojnë policat e sigurimit.

Të fundit