Flash News

KRYESORE

Thaçi: Europa na ka izoluar, të bashkohemi me Shqipërinë. Haradinaj: Të hiqet njëherë taksa e rrugës

Thaçi: Europa na ka izoluar, të bashkohemi me Shqipërinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e sheh bashkimin me Shqipërinë si një alternativë ndaj izolimit që shteti i tij po përjeton në Europë dhe në arenën ndërkombëtare. Duke përkujtuar luftimet në Pashtrik, Thaçi tha se ky objektiv i shqiptarëve nuk ka qenë kurrë më parë dhe se për realizimin e tij duhet vullnet i Qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë.

“E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari ky objektiv. Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Europian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që çojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin... Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy Qeverive tona”, u shpreh Thaçi.

Por është kryeministri Ramush Haradinaj që nuk e sheh me të njëjtën shpejtësi realizimin e bashkimit Kosovë-Shqipëri. Duke komentuar deklaratat e presidentit Thaçi, Haradinaj tha se dy shtetet duhet të përqëndrohen në veprime konkrete kur flasin për bashkimin dhe një prej tyre është heqja e taksës së vendosur nga Qeveria e Edi Ramës në Rrugën e Kombit.

“Është me rendësi që Kosova dhe Shqipëria t’i heqin pengesat administrative, burokratike ose taksën e rrugës, që është vënë tashmë. Do të ishte mirë të veprohet më konkretisht”, është përgjigjur Haradinaj.

Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të Hashim Thaçit për bashkimin, politika në Tiranë po qëndron mënjanë dhe nuk është bërë pjesë e diskutimeve.

Të fundit