Flash News

OP-ED

The Economist/ Fytyrë e re, armiqësi të vjetra: Fillimi i ri i Albin Kurtit në Kosovë

The Economist/ Fytyrë e re, armiqësi të vjetra: Fillimi i ri i

The Economist

Gjërat po ziejnë në Kosovë. Që prej 3 shkurtit, ky vend i ri i ri ka pasur një kryeministër të ri dinamik, i cili dëshiron të dëbojë nga politika guerillasit që luftuan për pavarësi në vitet 1990, por më pas, thotë ai, iu vunë plaçkitjes së shtetit. Albin Kurti, 44 vjeç, thotë se detyra e qeverisë së tij është të "çlirojë shtetin nga brenda".

Shumë shpresojnë se ai do të jetë mjaftueshëm fleksibël për t'i dhënë fund ngërcit me Serbinë, e cila është një nga mosmarrëveshjet e fundit territoriale në Europë. Kosova, shumica e njerëzve të së cilës janë shqiptarë etnikë, ka qenë e pavarur që nga viti 2008. Shumica e vendeve të tjera e njohin atë, por Serbia, padroni i saj i vjetër, si dhe Rusia dhe pesë vende të BE-së, jo.

Amerika dhe BE janë të prirur të ringjallin dialogun e ngecur midis dy vendeve. Në 2018 diplomatët e Serbisë penguan me sukses përpjekjen e tretë të Kosovës për t'u bashkuar me Interpolin, organizatën ndërkombëtare të policisë. Serbia gjithashtu ka bindur një duzinë vendesh të heqin dorë nga njohja e tyre e mëparshme e Kosovës. Në shenjë hakmarrje, Kosova vendosi një tarifë 100% për importin e produkteve serbe, për të cilën presidenti i Serbisë thotë se i ka kushtuar 435 milion €. Ai thotë se nuk do të rifillojë dialogun derisa tarifa të revokohet.

Kurti ishte një udhëheqës studentor në vitet e muzgut të sundimit serb. Pasi lufta midis Serbisë dhe NATO-s mbi Kosovën përfundoi në 1999, ai ishte i burgosur politik në Serbi për gati tre vjet. Pas kthimit, ai drejtoi një fushatë të egër kundër asaj që ai e konsideronte si prani koloniale të Kombeve të Bashkuara, e cila administroi vendin nga 1999 deri në 2008, dhe kundër misionit të ligjit dhe drejtësisë të BE-së (EULEX) pas kësaj. Ai gjithashtu me vendosmëri refuzonte çdo negociatë me Serbinë.

Gjatë 23 viteve në opozitë zoti Kurti fitoi reputacionin e diukutj që ishte inteligjent dhe parimor, por edhe i majtë dogmatik dhe një avokat i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo kërkesë tmerron shumë politikëbërës ndërkombëtarë, të cilët besojnë se ndryshimi i kufijve të Ballkanit është një recetë për luftë. Në Tetor 2019, partia e Z. Kurti fitoi vota të mjaftueshme për të larguar ish-politikanët guerrilë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti. Ai i joshi votuesit duke këmbyer bluzat e tij të zakonshme me kostume dhe duke e zbutur gjuhën. Sot ai thotë se bashkimi me Shqipërinë mund të presë, duke shtuar se së pari duhet të ndërtohet një Kosovë e fortë.

Diplomatët e huaj po rrisin presionin ndaj z. Kurti për të hequr tarifën 100% në mënyrë që të rihapet dialogu. Ai nuk ka dëshirë të shtyhet në një veprim të njëanshëm. Më e rëndësishme për të është reforma në arsim, ekonomia, mjedisi dhe çrrënjosja e asaj që ai thotë është një klan i vogël dhe i korruptuar që ka kapur shtetin. Ai është i gatshëm të heqë tarifën vetëm nëse Serbia do të përgjigjet, gjë që nuk ka gjasa pasi do të ishte në një formë të njohjes. Aktualisht, mallrat me shkresa të shënuara "Republika e Kosovës" nuk mund të shiten në Serbi. Por administrata Trump, e etur për një sukses të politikës së jashtme para zgjedhjeve presidenciale të Amerikës, mendohet se po e detyron zotin Kurti të bëjë një marrëveshje.

Sfidat e tij të brendshme janë gjithashtu të mëdha. Për vite me radhë, punët e shërbimit civil u janë dhënë militantëve të partive të dala nga UÇK. Një ministër i ri thotë se është pak i brengosur thjesht se zyrtarët e mërzitur do të sabotojnë planet e tij. Një problem më i madh, thotë ai, është se një numër i madh i njerëzve në shërbim janë të pakualifikuar, pasi janë punësuar në mënyrë nepotike. Muaji i mjaltit i Z. Kurti nuk do të zgjasë shumë. ■

Përktheu: Politiko.al

Të fundit