Flash News

KRYESORE

Tifozat Kuq e Zi letër publike Lorik Canës: Shtyje ceremoninë e lamtumirës

Tifozat Kuq e Zi letër publike Lorik Canës: Shtyje ceremoninë e

Tifo-grupi i Kombëtares Shqiptare, Tifozat Kuq e Zi i janë drejtuar me anë të një letre publike ish-kapitetin Lorik Cana. Ky grup kërkon nga Cana shtyrjen e ceremonisë së lamtumirës nga Kombëtarja, e parashikuar për datën 9 tetor, kur Shqipëria do luajnë në ‘Loro Boriçi’ kundër Italisë.

TKZ-të sqarojnë se nuk mund të jenë në stadium për shkak të bojkotit më shumë se një vjeçar, i vendosur për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm nga policia e shtetit.

Ata kërkojnë që Lorik Cana të jap lamtumirën në një ditë tjëtër, kur edhe ata të jenë të pranishëm në stadium.

Reagimi:

Letër publike drejtuar kapitenit legjendar, Lorik Cana

I dashur kapiten

Marrim shkas që të drejtohemi me këtë letër publike, pas lajmit për ceremoninë lamtumirëse nga futbolli, të caktuar më datë, 9 tetor 2017.

Përpara kësaj, dëshirojmë që në emër të të gjithë anëtarëve të grupimit TKZ (Tifozat Kuq e Zi), të të falenderojmë, për çdo djersë dhe mund për të mirën e Kombëtares. Kudo ku të kemi ndjekur, imazhet e tua kanë qenë ato copëzat e krenarisë që e kanë plotësuar mozaikun e një shqiptari të mirë dhe shembull.

Siç edhe jeni në dijeni, Tifozat Kuq e Zi, dhe bashkë me të edhe disa grupime të tjera tifozerike që prej 1 viti, pa dëshirën e tyre janë në bojkot të ndeshjeve të Kombëtares në shtëpi. Arsyeja ka të bëjë me keq-organizimin, dhe me keqtrajtimin fizik dhe psikologjik që na bëhet nga policia shqiptare. Akoma në kohën kur po shkruajmë këtë letër, nuk ka ndonjë reflektim, prandaj edhe nuk mund të kthehemi në stadium derisa këto sjellje të përfundojnë një herë e përgjithmonë.

Si TKZ, si njerëz që të kemi ndjekur kudo, jo vetëm me ekipin kombëtar, kërkojmë nga ju që të shtyeni për një kohë tjetër ceremoninë e lamtumirës. Kjo për faktin se nuk mund të pajtohemi se nuk do të jemi në stadium për të përshëndetur edhe për të thërritur emrin tënd fortë, si përherë.

E dijmë që nuk është kërkesë e zakonshme, por kërkojmë që të na kuptoni drejt kërkesën tonë, nuk ka të bëjë më ndonjë kryeneçësi , por ka të bëjë kryekëput me trajtimin tonë njerëzor dhe dëshirën për ta bërë këtë ceremoni falenderuese sa më madhështore. Ne jemi të vendosur që bojkotin ta çojmë deri në fund, sikurse jemi të sigurtë në respektin dhe përkrahjen që na e ke dhënë gjithnjë, për të cilën gjë besojmë se as ju nuk keni dëshirë që të na shihni duke u persekutuar e keqtrajtuar.

Pa marrë parasysh rrjedhën e situatës, ju keni qenë, dhe do të jeni udhërrëfyes për shumë prej nesh se si lartësohet emri i Shqipërisë dhe i shqiptarëve nëpër botë.

Faleminderit kapiten!

Tifozat Kuq e Zi

O sa mirë me qenë shqiptar!

Të fundit