Flash News

KRYESORE

Tirana frenohet për nënshkrimin e marrëveshjes së detit? Ditmir Bushati: Muaji prill është keqkuptuar, nuk kemi afate fikse

Tirana frenohet për nënshkrimin e marrëveshjes së detit?

Pas takimit të kryeministrave Edi Rama dhe Aleksis Tsipras në Davos të Zvicrës, të dyja palët kapën në befasi publikun kur deklaruan se ishte arritur marrëveshja për detin. Madje, zhvillimet në Tiranë dhe Athinë tregonin se të dyja qeveritë ishin të interesuara për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen, duke ngjallur dyshime te opozitat.

Jo zyrtarisht u raportua se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhej në muajin prill të këtij viti, gjatë vizitës së kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, në Shqipëri.

Por, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati ka bërë sot një deklaratë që tregon për një frenim të Tiranës dhe një ngadalësim të këtij procesi. Gjatë konferencës së përbashkët me homologun sllovak, Bushati tha se muaji prill është keqkuptuar sepse nuk ka ende një afat sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes. Ai theksoi se pala shqiptare ka folur për nevojën për të firmosur një Deklaratë të Partneritetit Strategjik.

“Pjesa që ju iu referuat, prillit për një marrëveshje, për firmosjen e një marrëveshjeje më Greqinë, kam përshtypjen se është keqkuptuar. Kemi folur për nevojën dhe interesin e të dyja vendeve për të firmosur një Deklaratë të Partneritetit Strategjik. Deklaratë apo dokument të tillë Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Francën, ka me Kosovën natyrisht. Kjo ka qenë edhe ideja për Greqinë  sepse kur vjen puna për firmosje marrëveshjesh ne nuk kemi afate fikse, por nga ana tjetër nuk mund të mohojmë faktin që në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në politikën e jashtme afatet apo momentumi shpesh luajnë një rol përcaktues”, deklaroi Bushati.

Ky frenim i palës shqiptare vjen në një kohë kur diferencat midis Qeverisë dhe Presidencës po shkonin drejt sheshimit, ndërkohë, opozita ka kritikuar heshtjen e treguar për negociatat Tiranë-Athinë.

Negociatat me Greqinë, Ditmir Bushati i shtrin dorën Ilir Metës: Jemi një skuadër

Të fundit