Flash News

KRYESORE

Tirana konkretizon kërkesën për Serbinë: Shqiptarët në Preshevë të kenë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë

Tirana konkretizon kërkesën për Serbinë: Shqiptarët

Tirana kërkon nga Serbia që t’u garantojë shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës të njëjtat të drejta si ato që gëzojnë serbët në Kosovë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka pritur sot në takim një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës, me të cilët theksoi se Shqipëria do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.

“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negociimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Bushati.

Kjo kërkesë e Tiranës konkretizohet në një kohë kur në Serbi dhe Kosovë vijon debati për fazën e fundit të dialogut. Zyrtarë në Preshevë dhe Prishtinë kanë kërkuar që çështja e Preshevës të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare midis dy shteteve.

Sa i përket dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, Bushati ka shmangur komentet sa i përket mundësisë së ndryshimit të kufijve, por kërkoi që procesi i dialogut të përmbyllet me një marrëveshje për njohje të ndërsjelltë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës. Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon.

“Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha Bushati.

Të fundit