Flash News

KRYESORE

Tirana mbështet propozimin serb që dëmton Kosovën, Bushati njofton krijimin e tregut ballkanik (Kundërshtimet)

Tirana mbështet propozimin serb që dëmton Kosovën, Bushati

Në Samitin e Triestes që do të zhvillohet më 12 korrik në kuadër të Procesit të Berlinit, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të firmosin për krijimin e tregut të përbashkët ekonomik.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë për ‘Top Channel’ deklaroi se “krijimi i Zonës Rajonale Ekonomike së bashku me firmosjen e Traktatit të Transportit do të jenë dy prej arritjeve kryesore të Samitit të Triestes”.

Krijimi i një tregu të përbashkët mes gjashtë vendeve ballkanike është një propozim i presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i mbështetur fuqishëm nga Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Fillimisht, Tirana zyrtare shprehu dyshime për këtë treg, që konsiderohet si përpjekje e Serbisë për dominim të rajonit, por kryeministri Edi Rama ka ndryshuar së fundmi qëndrim dhe është një prej mbështetësve kryesor të projektit.

Por, ky projekt i Serbisë dëmton më shumë vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor, siç është Kosova. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka deklaruar më parë se me këtë projekt Kosova do të humbasë 1 miliardë euro në vit.

Hoxhaj kritikoi ashpër Bushatin edhe gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë, në prill të këtij viti, kur tha se "është në të drejtën e çdokujt si përfaqësues i një prej vendeve pjesëmarrëse në Ballkanin Perëndimor të ketë nostalgji për Titon, për Millosheviçin".

Nuk është vetëm zyrtari i lartë i PDK-së që ka shprehur kundërshtinë, edhe kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se Prishtina do e refuzojë këtë projekt.

Ndërkohë, kundërshti ka patur edhe në Tiranë. Këshilltari në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, Lavdrim Lita, në një shkrim të publikuar në mars të këtij viti, e konsideroi gatishmërinë e Tiranës si të nxituar.

Kryeministri i Malit të Zi është shprehur gjithashtu kundër propozimit të Serbisë për krijimin e tregut ballkanik.

Me votën pro të Serbisë dhe Shqipërisë, si dhe me presionin e BE-së, shihet e vështirë që Kosova dhe Mali i Zi të rezistojnë në qëndrimin e tyre kundër këtij projekti. Sa i përket dy vendeve të tjera, Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës, asnjë qëndrim i qartë nuk është bërë i ditur./Politiko.al

Të fundit