Flash News

KRYESORE

Tirana pret festivalin më të madh të inovacionit në Ballkan, Veliaj: Duam të kthehemi në qendër të teknologjisë

Në Tiranë u organizua festivali më i madh i inovacionit për rajonin e Ballkanit “INN Fest 2019”. Pjesëmarrëse ishin kompani nga e gjithë bota, që sollën risitë më të fundit teknologjike. Në total, numri sipërmarrësve dhe drejtuesve të kompanive ishte 1500.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kryeqyteti ka përqafuar teknologjinë inovative si një mënyrë për të ecur përpara dhe për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve.

“Një nga avantazhet e të qenit vend në zhvillim është se ne mund të kalojmë disa faza të industrializimit; pra, Tirana nuk ka më nevojë të mendojë sesi do të bëjë atë që bëri Viena apo Zagrebi me autobusët me kabllo elektrike sepse sot është koha e autobusëve elektrikë, mund të kalojmë direkt aty”, tha ai.

Veliaj solli shembullin e suksesshëm të aplikacionit me të cilin bashkia bëri evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Kryebashkiaku tregoi edhe për nismën më të fundit, kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së inovacionit.

“Sot, më vjen ta keq them, nuk mjafton 10-ta dhe anglishtja nëse nuk dimë kompjuterin. Ndaj, ky investim është në të mirën edhe në të ardhmen e këtij qyteti. Ajo që duam të bëjmë është që çdo vit të trajnojmë deri në 5 mijë fëmijë nga mosha 6 deri në 18 vjeç. Do të shfrytëzojmë hapësirën e Piramidës për disa nga këto kompani ose start up-e, të cilët do të kenë mundësi të ‘inkubohen’aty, por edhe të rekrutojnë talente nga të diplomuarit në Piramidë”, tregoi Veliaj.

Të fundit