Flash News

KRYESORE

Tirana shpallet “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, Veliaj feston me të rinjtë

Nën ritmet e muzikës, të rinjtë dhe të rejat kanë festuar në Parkun Europa shpalljen e Tiranës si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tregoi emocionet e ceremonisë në Amiens të Francës, ku juria prestigjioze ndërkombëtare e shpalli unanimisht Tiranën si kryeqytetin rinor evropian për vitin 2022.

Për të gjithë të pranishmit, është shumë special fakti që Tirana do të jetë kryeqendra e rinisë evropiane pas dy vitesh.

“E pabesueshme! Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022. Nga nata e mbrëmshme në Francë me presidentin Macron, me gjithë kandidatët në finale, deri sot në mëngjes kemi qenë pa gjumë, por donim patjetër që të ishim në Tiranë dhe ta ndanim këtë gëzim me të gjithë çunat dhe gocat e Tiranës. E kam zemrën plot me mirënjohje, me gëzim, me falënderim për të gjithë çunat dhe gocat, nga ata në gjimnaz, tek ata në Universitet, tek ata që advokojnë për të drejtat e fëmijëve, për ata që punojnë pafund. Në gjithë këtë përpjekje, në gjithë këtë angazhim të jashtëzakonshëm, kishte vetëm pasion, energji pozitive, vetëm çuna dhe goca të mirë shqiptarë, që bashkëpunojnë, që i thonë njëri-tjetrit: Bravo të qoftë!, që kuptojnë se duke punuar bashkë mund të shkojmë shumë përpara”, tha Veliaj.

Ndërsa përshëndeti edhe 4 qytetet finaliste, Veliaj shtoi se Tirana mundi të triumfojë falë zemrës dhe vullnetit për të qenë evropiane.

Ai theksoi se marrja e këtij çmimi është një përgjegjësi shumë e madhe. Ndaj, sipas tij, në vitin 2022 Tirana duhet të jetë gati për të pritur mijëra të rinj që do ta vizitojnë, por edhe për të treguar se e ka merituar vërtetë këtë status.

“Në vitin 2022 po planifikojmë të kemi mbi 1000 aktivitete në Tiranë dhe mbi 1 milionë djem dhe vajza nga gjithë Evropa, që do duhet të vijnë në Tiranë, dhe të shikojnë fytyrën evropiane të Shqipërisë, kartolinën më të bukur që prodhon puna dhe bashkëpunimi, atë që është aspirata jonë. Një nga gjërat që të gjithë vlerësuan në juri, kur na dhanë votën unanimisht, ishte fakti se ne jemi thellësisht evropianë.”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tregon se rruga deri në shpalljen fitues në këtë garë nuk ishte e lehtë, pasi pati edhe nga ata shqiptarë që tentuan të vendosnin pengesa duke dërguar letra anonime kundër Tiranës

Të fundit